Reshjet e dendura të shiut në pjesën jugore të Indisë e Sri-Lankës kanë lënë të vdekur së paku 41 persona, thanë auotirtetet të enjten. Parashikuesit e motit presin që reshjet të pakësohen në ditët e ardhshme.
Departamenti Indian i Meteorologjisë parashikon reshje të lehta dhe të mesme në zonat më të prekura, me vërshime rastësore të disa rrugëve dhe zonave me shtrirje të ulët mbi nivelin e detit.
Meteorologët në Sri-Lankë thanë se pritet që reshjet në këtë vend të pakësohen të enjten, pasi presioni i ulët, që e solli motin e lig, të jetë larguar, shkruan Reuters.
“Më e keqja ka kaluar dhe do të ketë reshje të kohëpaskohshme”, tha Pradeep John, parashikues amator i motit, por që ndiqet nga një masë e madhe e popullsisë në Tamil Nadu, rajoni më i prekur nga reshjet në Indi.
Zyrtarët në Sri-Lankë thanë se reshjet kanë mbytur 25 persona. Shumica e tyre raportohet të jenë mbytur në ujë, ndërsa rrëshqitja e dheut ka lënë të lënduar pesë persona.
Gjashtëmbëdhjetë persona e kanë humbur jetën në Tamil Nadu të Indisë, tha ministri rajonal për menaxhimin e fatkeqësive në një konferencë për gazetarë.