Së paku nëntë njerëz u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur forcat e sigurisë në Sudan hapën zjarr ndaj protestuesve jashtë selisë ushtarake në kryeqytetin Kartum.
Sudani qeveriset nga Këshilli i Përkohshëm Ushtarak prejse presidenti Omar al-Bashir u përmbys nga pushteti, gjatë një puçi në muajin prill.
Protestuesit, në anën tjetër, kërkojnë që vendi të udhëhiqet nga një qeveri civile.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kartum tha se sulmet ndaj protestuesve “duhet të ndalen”.
“Sulmet e forcave sudaneze të sigurisë kundër protestuesve dhe civilëve të tjerë janë të padrejta dhe duhet të ndalen”, shkroi ambasada në Twitter.
Bashir, i cili sundoi Sudanin për dekada, u rrëzua dhe u arrestua pas disa muajsh protesta kundër qeverisë së tij.
Por, protestuesit i vazhduan tubimet, duke thënë se krerët e rinj ushtarakë janë vetëm vazhdim i regjimit të Bashirit.