Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtoren e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani, kanë pritur në takim Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z. Ramë Manaj së bashku me përfaqësuesin nga kjo agjenci.
Temë e diskutimit në këtë takim ishte gjendja e përgjithshme e arkivave, me theks, arkivit të Ferizajt, përkatësisht procesit të digjitalizimit dhe formave tjera për ruajtjen dhe promovimin më të mirë të materialeve arkivore.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj se gjendja e arkivit në Ferizaj ka nevojë për ndërhyrje me qëllim që të avancohet ky shërbim dhe ruajtja e dokumentacionit dhe materialeve tjera arkivore të bëhet sipas standardeve më të larta në këtë fushë.
Ramë Manaj, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, njoftoi Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në buxhetin e saj ka paraparë themelimin e Arkivit Ndërkomunal në Ferizaj, aset ky i munguar deri më tani, e që në disa qendra të tjera të Kosovës, funksionojnë këto institucione. Madje, kërkesë e mysafirëve ishte që si obligim i Komunës së Ferizajt në këtë proces të jetë sigurimi i objektit dhe investimet në infrastrukturën e nevojshme për të mundësuar funksionimin e Arkivit Ndërkomunal.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se qeverisja lokale tashmë ka marrë iniciativa në këtë drejtim, përkatësisht për ruajtjen e materialeve të ndryshme për periudha historike duke proceduar themelimin e Muzeut të Kujtesës, porse edhe për Arkivin Ndërkomunal do të ndiqet procedura e nevojshme që të themelohet në qytetin tonë.
Arkivi Ndërkomunal në Ferizaj do të grumbulloj materialet arkivore nga fondkrijuesit shtetëror dhe privat, e të cilat do të mund të shfrytëzohen sipas parashikimeve ligjore të kësaj fushe.
Ferizaj i ka munguar deri më tani një institucion i tillë dhe gatishmëria e qeverisjes lokale për të mundësuar themelimin e një institucioni të tillë paraqet hap themelor në kujdesin institucional dhe promovimin e materialeve arkivore që paraqesin dëshmi të periudhave historike por edhe për shërbimin për nevoja të qytetarëve dhe administratës shtetërore që do të mundësoj ky institucion.