Seanca e jashtëzakonshme sonte në ora 19:00

Prishtinë | 12 Shk 2026 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur që sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme në ora 19:00, raporton Ekonomia Online.

Përveç komisioneve parlamentare në rend të ditës do të jetë projekt-buxheti por edhe rezoluta për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Në orën 19:00 do të njoftoheni se kush kryeson dhe kush do të kryesojë këto komisione parlamentare, por ajo që është e rëndësishme është se Vetëvendosje do të kryesojë 9 komisione, PDK tri, LDK dy, Lista Serbe një dhe Grupi Multietnik do ta kryesojë një komision. Po ashtu miratuam që të trajtohet kërkesa e Qeverisë për ndarjen buxhetore për muajin mars 1/12-ta sipas Ligjit të Qeverisë dhe në anën tjetër rregulloren e punës së Qeverisë”, tha ajo.

Haxhiu ka thënë se për rezolutën e UÇK-së të gjithë do të jenë të bashkuar.

“Dhe çështja tjetër do të lidhet me rezolutën që ndërlidhet me procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas diskutimeve në kryesinë e Kuvendit ka vullnet nga grupet parlamentare të marrë mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Do të ketë paraprakisht një takim të përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Por besoj që pavarësisht dallimeve që mund të kemi për çështje të ndryshme, kur bëhet fjalë për luftën e drejt të UCK dhe në raport me proceset e padrejta që po ndodhin në Hagë duhet të jemi të unifikuar duhet të jemi bashkë”, tha ajo.

Të ngjashme