Vetëm tetë veteranë dhe invalid të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës janë paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë, për organizimin e një proteste në gusht të vitit 2015. Si rrjedhojë e kësaj seanca është shtyrë më datën 14 prill, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e aktakuzës janë kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve, Xhevdet Qeriqi dhe dhjetë veteranë të tjerë.
Qeriqi, tha gjatë seancës që kjo është lojë që po bëhet me ta, pasi sipas tij është një proces që po zhagitet dhe nuk po sjell rezultat, madje e quan lojë politike.
“Lojë që po bëhet me neve, dhe po bëhen gati gjashtë vite duke na maltretuar kjo është lojë politike, dhe mendoj që pa u ofruar raporti nga pala e dëmtuar mos të thirrni seancë, unë me nuk do vi këtu në asnjë seancë pa pasur prova nga pala e dëmtuar “, tha veterani Xhevdet Qeriqi.
Seanca është proceduar nga gjykatësja Lumnije Krasniqi dhe Prokurori i Shtetit, Menduih Kastrati.
Gjykata pas dorëzimit për të pandehurit dhe nga një kopje të CD-së, tutje ka ftuar përfaqësuesin e të demtuarëve , avokatin e Shtetit Bedri Krasniqi, për sigurimin e fakteve për dëmin e shkaktuar.
Avokati, Bedri Krasniqi në këtë seancë tha që nuk kanë arritur akoma të faktojnë me prova vlerën e dëmit.
“Pala e dëmtuar është në procedurë të mbledhjes së fakteve me qëllim që të faktojë vlerën e dëmit të shkaktuar që rrjedh nga aktakuza, deri më tash nuk mund të precizojë”, tha Krasniqi.
Si pasojë e kësaj, Gjykata nuk ka kushte për shqyrtim te mirëfilltë pasi kanë munguar tre të pandehurit, si dhe i dëmtuari ende nuk ka proceduar vlerën e dëmit që është akt vendimtar në këtë seancë.
Në fund u vendos që seanca e pestë të mbahet më 14 prill, në ora 09:00.