Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë për votimin e Qeverisë, pas publikimit të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.
Gashi njoftoi se të mërkurën do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë së re. Ai tha se i kanë numrat për votimin e Qeverisë, prandaj edhe kanë bërë kërkesë për seancë.
“Pas marrjes se aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në emër të LDK-së kam dorëzuar kërkesën për seancë për të mërkurën në ora 11:00. Presim që të mërkurën të kemi Qeverinë e re”.
“Ne si parti paraprakisht të njoftohen partnerët e koalicionit e jo përmes video-mesazheve. Kemi ftuar seancë normalisht kemi të garantuar edhe formimin e Qeverisë. Kërkesa e dorëzuar me 61 deputetë nënshkrues ku presim që do të jenë 64 deri në 65 vota”.
Më tej, Gashi tha se mbetët që të martën Kryesia e LDK-se të vendos për emrat e ministrave të ri.
Ndër të tjera, ai potencoi se nuk e kanë paraparë pozitën e presidentit. Ai tha se ka mundësi që edhe AKR-ja të jetë pjesë e Qeverisë, raporton EO.
“Në 16:30 mblidhet Kryesia dhe do të dalim me emrat e ministrave. Sa i përket marrëveshjes me Listën Serbe këtë do ta publikojë kryeministri i ardhshëm pasi asnjë marrëveshje deri me tani nuk është publikuar”.
“Me VV-në kemi pasur një qasje me një skenar 4+4, kurse në këtë skenar nuk është paraparë posti i presidentit”, tha ai.
Përderisa kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thirrur për nesër mbledhje të kryesisë së partisë.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të lëshuar nga Lidhja Demokratike.
Në këtë njoftim thuhet se Mustafa e ka thirrur mbledhjen për nesër në ora 16:30, në Selinë Qendrore të LDK-së.
Gjatë ditës Gjykata Kushtetuese e ka publikuar vendimin e plotë rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit, për krijimin e qeverisë së re, pas rrëzimit të Kurtit.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën.