Sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor penal pranë departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku në këtë seancë pritet që dëshmitarë të jenë figura të larta të politikës.
Kështu ka bërë të ditur avokati i rastit, Musa Damati.
“Të hënën me datë 22/11/2021 duke filluar nga ora 09:30 do të vazhdoj procesi gjyqësor penal pranë departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e vrasjes së politikanit serb Ivanoviq, gjatë shqyrtimit të seancave në këtë proces pritet të dëshmojnë figura të larta të politikës”, ka deklaruar Damati për Ekonomia Online.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës se partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ivanoviq cili kishte themeluar dhe drejtonte Iniciativën Qytetare ‘Liri, Demokraci, Drejtësi’ (SDP), që ishte subjekti kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut.
Por, tri vjet pas, vrasësit apo autorët e atentatit janë ende të panjohur, pavarësisht se prokuroria e Kosovës ka ngritur tri aktakuza deri më tash.
Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ngritur aktakuzën e parë më 2 dhjetor, 2019. Më 30 dhjetor, prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha kishte paraqitur aktakuzën e dytë, të ndryshuar, në bazë të së cilës u mbajt një seancë parapake më 11 shkurt, 2020.
Në këtë gjykim, të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u patën deklaruar të pafajshëm për akuzat kundër tyre, ndërsa tre të akuzuarit e mbetur, Zvonko Vesellinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, ishin në arrati.