Seancë e jashtëzakonshme për Policinë, VV-ja sërish nuk merr pjesë

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 10:34 | Nga Valmire Abdullahu

Kuvendi i Kosovës është mbledhur për të Shqyrtuar Propozim-Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”, raporton Ekonomia Online. VV-ja sërish nuk ka marr pjesë në seancë.

Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se janë dashur disa konsultime në mënyrë që të vendoset për mbajtjen e kësaj seance.

“Po e fillojmë këtë seancë të jashtëzakonshme, e cila është thirrur javën e kaluar, por nuk kemi pasur mundësi ta mbajmë. Na është nevojitur mbledhja e Kryesisë për të sqaruar dhe pas përfundimeve që i nxorëm vendosëm që të mbahet kjo seancë e jashtëzakonshme megjithatë”.

Të pranishëm janë ata të opozitës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Prezantimin e rezolutës po e bën iniciuesi i saj, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj.

Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit. 

Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të mbajë  seancën e jashtëzakonshme ku do të votohej një rezolutë për forcimin e Policisë së Kosovës, kjo pasi që partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk qe e pranishme në sallë.

Partia në pushtet tha se opozitës i intereson vetëm pushteti dhe jo mbrojtja e interesit të qytetarëve, e në anën tjetër opozita e cilësoi për keqardhje bojkotimin e seancës nga ana e Vetëvendosjes.

Të ngjashme