Ali Sefaj, udhëheqës i Këshillit Grevist të Shërbyesve Civilë, ka deklaruar se është detyrë e Qeverisë Kurti ta garantojë të drejtën për mësim, për organizim sindikal dhe për greva.
Që nga 25 gushti, sindikatat janë në grevë, teksa ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë, sipas tij, po ashtu është obligim i qeverisë ta fillojë dialogun social dhe t’i adresojë kërkesat e sindikatave, e këshillave greviste dhe t’i japë fund grevës, duke i rikthyer fëmijët në shkolla dhe shërbimet në administratë.
Megjithatë, Sefaj shkroi në Facebook se pavarësisht kësaj, pushteti në vend të dialogut vendosi mbylljen, presionin, e talljen ndaj sindikatave dhe këshillave greviste, duke ua pamundësuar marrëveshjen për daljen nga greva.
“Kur qeverisë si bejnë përshtypje humbjet qe mund të shkaktohen nga grevat, por vazhdon me avazin e mbylljes, revanshit dhe linçimit ndaj përfaqësuesve sindikal, është koha e reflektimit. Çka duhet të bejmë ne, të vazhdojmë grevën, ta mbrojmë demokracinë, të kërkojmë mirëqenie për punëtorët e sektorit publik, ti ashpersojmë veprimet sindikale, apo ta mendojmë interesin e femijëve, qytetarëve, institucioneve dhe atdheut, pasi qeveria ka dalë në serrnishtë dhe si bën përshtypje interesi publik”, shkroi ai.
“Siç thotë populli nuk duhet të tranohemi të gjithë zatën femijët kanë me së paku faj pse tranohen të mëdhejtë. Është koha për reflektim, mësimi duhet të fillojë, por qeveria s’po na len rrugë, që të dalim nga greva”, theksoi Sefaj.