Është përuruar libri për Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe UÇK-në, i autorëve Sejdi Gega dhe Fazli Veliu, raporton Ekonomia Online.
Libri “Zëri i Kosovës”, përshkruan rrugën e UÇK-së prej lindjes deri në luftën çlirimtare.
Drejtuesi i LPK-së, Rexhi Ibërdemaj, tha se ky libër dëshmon se në radhët e kësaj lëvizje ka pasur gjithmonë mendje të ndritura të kombit që gjithë idealin dhe dijen e kanë vënë në shërbim të atdheut.
“LPK dhe UÇK kanë pasur veprimtarë të punës dhe penës, këta kishin ideal dhe vetëdije të lartë që dijen e vuan në drejtim të atdheut”, tha ai.
Ish-i burgosuri politik, Hydajet Hyseni, e cilësoi libër me rëndësi të madhe historike ndërsa tha se përpjekjet duhet vazhduar pasi ky është amaneti i dëshmorëve.
Sipas tij, LPK ishte trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare dhe në kuadër të kësaj lëvizje ka pasur veprimtar të shquar.
“Lëvizja jonë synonte bashkimin dhe ishte e bashkuar kur nuk ishte fizikisht e bashkuar. Libri i është kushtuar themeluesit dhe prijësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare “Adem Demaçit” së bashku me gjeneratën e tij dhe ato pasuese të përkushtimit, anëtarëve të LPK-së dhe ushtarëve të tri emblemave të UÇK-së për Liri- Bashkim-Flamur Kombëtar”, tha ai, raporton EO.
Bashkautori i librit, Fazli Veliu, duke e quajtur sakrificë të madhe atë që ka bërë UÇK-ja, tha se njeri tjetër si Adem Jashari s’do të vie më.
“Libri i kushtohet sakrificës së madhe që e quajnë gjenocid për të cilin ne ende nuk flasim me gojën tonë po flasin të tjerët më shumë se ne. Ne u mbetemi borxh të gjithëve po këtyre që kanë organizuar këtë akademi tonën e cila ka fillu në Tetovë në mënyrën më simbolike deri te Kosova që është bërë e pavarur”, tha ai.
Bashkautori i librit, Sejdi Gega, duke thënë se kjo liri e fituar është e pamjaftueshme theksoi se nuk e ndjenë veten komod ngase ka shumë punë për të bërë.
“Pas një konsulte me anëtarët e mbijetuar të kryesisë së Lëvizjes së Përgjithshme Popullore me anëtar të UCK-sw, kam marrë mbështetje të bëjë grumbullimin e zërave të Kosovës që kanë shërbyer shumë. Duke qenë bashkëveprimtarë i tyre, por jo edhe komod edhe i relaksuar sepse programi që na kanë ra me qindra dëshmorë e mijëra invalid nuk është realizu, them se është fitu një liri e pamjaftueshme, por është e dukshme prandaj them se nuk e ndi veten komod dhe të relaksuar”, tha Gega.
Në këtë ngjarje u tha gjithashtu se libri do të pasurohet në të ardhmen prandaj u kërkua nga veprimtarët të sjellin materiale që mund t’i shtohen librit në ribotimin e radhës.