Sejdiu: Ju siguroj se nuk e votoj PAN-in

Prishtinë | 20 Gus 2017 | 22:12 | Nga

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Korab Sejdiu, ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se në asnjë rrethanë nuk do ta votonte koalicionin PAN.

Sejdiu ka thënë se e ka parë të udhës të bëjë këtë sqarim për votuesit e tij, pasi në Kuvendin e sotëm të AKR-së u vendos që kjo parti të shikojë opsione të tjera pos bashkëpunimit me LVV-në e LDK-në dhe sipas Sejdiut kjo po keqkuptohet si bashkim i AKR-së me PAN-in.

“Unë ju siguroj të gjithë juve edhe një herë se NUK do të votoj Koalicionin PAN në strukturën aktuale në asnjë rrethanë, sepse nuk besoj që ky koalicion i bënë mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:

SQARIM

Në pamundësi që t’ju përgjigjem të gjithëve individualisht (e kuptoj plotësisht shqetësimin tuaj), e pashë të udhës që të jepi një sqarim lidhur me Kuvendin e AKR-së që u mbajt sot. Kuvendi i AKR-së ka autorizuar Presidentin Pacolli, Kryesinë e ngushtë, dhe deputetët nga radhët e AKR-së që të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike edhe jashtë kornizës aktuale, ku deri tani në relacion me palë të treta jemi përfaqësuar ekskluzivisht nga partneri i ynë në LAA.

Edhe pse po e shoh që po paraqitet/kuptohet si i tillë, sot NUK është marrë vendim që AKR t’i bashkëngjitet Koalicionit PAN (së paku, ashtu unë e kuptoj). Në fakt, edhe në fjalimin tim para Kuvendit, e kam bërë më se të qartë, se një rrugëtim i AKR-së me një grupacion që përfaqëson pakicën e votuesëve shqiptarë dhe që është peng i Listës Serbe (të dirigjuar nga Beogradi) nuk është as në të mirë të vendit, as në të mirë të qytetarëve, e definitivisht nuk është në të mirë të AKR-së.

Unë siguroj të gjithë juve edhe një herë se NUK do të votoj Koalicionin PAN në strukturën aktuale në asnjë rrethanë, sepse nuk besoj që ky koalicion i bënë mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përgjegjësinë e deputetit e kam marrë me qëllim që çdo vendim ta marr duke pasur si pikënisje interesin më të mirë të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. Vota për Koalicionin PAN nuk është në të mirë të qytetarëve dhe Kosovës, dhe rrjedhimisht, nuk e bëj kurrë.

Thërras edhe një herë LDK-në dhe LVV-në që të tejkalojnë interesat e ngushta personale dhe partiake, dhe të bashkojnë shumicën shqiptare në Kuvend – si dy parti të mëdha, keni përgjegjësi morale dhe kombëtare për të vepruar në këtë drejtim. Vetëm një bashkim i tillë ka legjitimitet nga populli dhe garanton qeverisjen që ky popull e meriton.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme