Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka komentuar ndalimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze, duke theksuar se arrestimi i Haradinajt ka shqetësuar të gjithë qytetarët e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se ndalime të tilla po bëhen në bazë të kërkesave të fabrikuara të Serbisë, e cila ka tendencë të qëllimshme për destabilizimin e Kosovës dhe kompromitimin e drejtësisë ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
Postimi i plotë i Sejdiut:
“Arrestimi i ish Kryeministrit të Kosovës dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinajt ka shqetësuar qytetarët e Kosovës dhe përgjithësisht gjithë shqiptarët.
Aq më tepër, ky shqetësim rritet kur veprimet e tilla si ky i fundit në Francë janë përsëritur disa herë ndaj njerëzve të Kosovës. Këto ndalime po bëhen në bazë të kërkesave të fabrikuara të Serbisë e cila ka tendencë të qëllimshme për destabilizimin e Kosovës dhe kompromitimin e drejtësisë ndërkombëtare.
Ish Kryeministri i Kosovës, siç dihet dy herë u shpall i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare dhe tani ndalohet, çuditërisht në bazë të kërkesave serbe, kohësisht më të hershme se proceset gjyqësore nëpër të cilat z. Hardinaj ka kaluar dhe është shpallur i pafajshëm.
Është kohë e fundit të mbizotërojë arsyeja te institucionet ndërkombëtare (Interpol dhe Europol) dhe të hedhin anash kërkesat e llojit të tillë që i adreson Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.
Në këtë drejtim edhe institucionet relevante te Francës duhet të veprojnë duke e liruar z. Haradinaj.”