Izedin Bytyqi, sekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është deklaruar lidhur me ngritjen e aktakuzës për korrupsion ndaj tij dhe 9 zyrtarëve të tjerë, duke thënë se nuk e di se cila është vepra e tij penale.
“Pasha Zotin, n’Zot po t’boj be tybe n’e disha, le t’kallxon ai prokurori, ishalla e gjan a pe din, le t’kallxon ku o vepra jem penale edhe s’di une, nuk e di, po t’kallxoj sinqerisht e pash zgabim, ku o vepra penale, le t’kallxon”, tha Bytyqi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë rast, Bytyqi tha se fillimisht nuk e kishte nënshkruar kontratën për shkak se nuk kanë qenë paratë në dispozicion, por që për shkak se kanë pasur raport të Policisë dhe Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve se ka pasur rrëshqitje të gurëve dhe dheut dhe është dashur të intervenohet, ka ndjerë njëfarë presioni që të nënshkruhet kontrata.
Ai ka shtuar se procedura e tenderit është kryer më herët dhe se procedurë të re nuk kanë mundur të hapet, andaj ka nënshkruar kontratën me kufizime, ashtu që janë autorizuar punimet vetëm në shumën e ndarjes buxhetore.
“Domethënë qaq sa kemi buxhet, qaq autorizojmë që mos me shti ministrinë borxh”, shtoi ai.
I njëjti sërish tha se nuk e di se ku ka gabuar dhe se Prokuroria përderisa ka ngritur këtë aktakuzë, ka për obligim që të tregojë se si, kush çka ka bërë.
Po ashtu, ai tha se që 8 vite që është sektar, nuk ka nënshkruar asnjë kontratë përveç kësaj e cila sipas tij është bërë për shkak të rrethanave nga raportet e Policisë.
Tutje, shtoi se këto punë nuk kanë qenë punë të cilat parashihen me mirëmbajtje dhe se për të kërkuar zgjidhje nuk e kanë nënshkruar këtë kontratë tre-katër muaj.
Bashkë me Bytyqin, po akuzohen edhe zyrtarët Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviç dhe Muhamet Gashi.
Sipas PSRK-së, të akuzuarit ngarkohen se me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore.
“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit e lartcekur në cilësinë e personave zyrtar, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore”, thuhet në njoftim të PSRK-së.
Me këto veprime, të pandehurit Betim Reqica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviç, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafin 2, lidhur 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Ndërkaq, e pandehura Valmira Bllaca akuzohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit zyrtar’’, nga neni 427 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Betim Reçica në cilësinë e ushtruesit së detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, akuzohet për korrupsion edhe me aktakuzën e PSRK-së, të ngritur më 15 shkurt 2021.