Sekretet e Interpolit – Pacolli nuk çelet as me deputetët

Prishtinë | 30 Tet 2018 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia po përballen me njëra tjetrën rreth çështjes së anëtarësimit në INTERPOL. Mediat pro pushtetit në Serbi, sot kanë publikuar një listë me shtetet që do të votojnë pro e contra Kosovës. Ndërsa në Kosovë, nga frika e Serbisë, nuk po flasin fare rreth kësaj teme. Madje Behgjet Pacolli çështjen e Interpolit po e mban fshehur edhe nga deputetët.

Në mediat serbe sot është publikuar një shkrim në të cilin janë paraqitur dy lista të vendeve të cilat do të votojnë pro anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL, dhe e atyre që janë kundër.

Lidhur me këtë çështje Gazeta Express ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, por nga ky institucion nuk është dhënë ndonjë përgjigje e plotë.

“Kemi vendosur që për këtë çështje të mos flasim deri në ditën e votimit”, ka thënë një zyrtar i lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas këtij zyrtari shkrime të tilla po behën me qëllim nga mediat serbe, për të nxitur reagimin e palës kosovare.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është edhe kryetare e Komisionit Për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, thotë se Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë raportimeve që ka bërë në Komision, ka qenë shumë optimist se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL.

“ Ne nuk kemi informata konkrete se ku qëndrojnë shtetet veç e veç. Megjithatë ministri në raportimet që i ka pasur në Komisionin për Punë të Jashtme është treguar mjaft optimistit sa i përket përkrahjes që Kosova ka për INTERPOL. Mendoj që ka qenë gabim tërheqja në vitin e kaluar. Sepse nga informatat që kemi Kosova atë kohë ka qëndruar shumë mirë me përkrahje edhe vitin e kaluar, megjithatë tash është një situatë e re. Shumë prej punëve është dashur të bëhen prej fillimi”, ka thënë Osmani për Gazetën Express.

Sipas Osmanit, mos përmendja e emrave të shteteve veç e veç të cilat e përkrahin apo nuk e përkrahin anëtarësimin në Kosovës në INTERPOL është pjesë e strategjisë së MPJ-së.

“Mirëpo ministri i Jashtëm ka hezituar të flas për secilin shtete veç e veç sepse siç mund ta imagjinoni këto janë informata mjaft të rëndësishme, në mënyrë që të mos i jepet hapësire për kundërlobim palës tjetër, në këtë rast Serbisë. Natyrisht që ato duhet të mbesin si informata të brendshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme”, ka shtuar deputetja e LDK-së.

Ajo thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në këtë organizatë, dhe tregon se edhe si Kuvend u kanë bërë thirrje të gjitha shteteve anëtare për përkrahje të Kosovës në rrugën drejt INTERPOLIT.

“Vota përfundimtare e shteteve varet nga shumë faktor. Jo vetëm unë, por të gjithë në Kosovë e dinë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në INTERPOL. Në edhe si Kuvend i kemi bërë thirrje të gjitha shteteve anëtare që të përkrahin Kosovën për anëtarësim në INTERPOL”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka folur edhe për qasjen e Serbisë karshi tentimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL. Sipas deputetes Osmani shteti serb po tregohet mjaft destruktiv dhe po tenton që në çdo mënyrë ta pengojë Kosovën në këtë proces.

“Serbia në anën tjetër po tregohet jashtëzakonisht destruktive, përkundër faktit që është palë në një dialog për normalizim, por bënë të pamundurën që në çdo hap që e bënë të qojë procesin drejt ç normalizimit. Pra nuk ka asgjë normale në veprimet e Serbisë”, ka përfunduar Vjosa Osmani për Gazetën Express.

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi, thotë se një qëndrim i tillë i MPJ-së, ka të bëjë me strategjinë për anëtarësim në INTERPOL.

Ai thotë që është e rëndësishme që Kosova të identifikojë shtetet të cilat kanë rezerva rreth integrimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Në këtë fazë është e kuptueshme që Kosova strategjinë e saj për anëtarësim në INTERPOL ta drejtoj përmes mekanizmave të saj qoftë përmes MPJ apo edhe vendeve mike që kanë autoritet tek shtete të ndryshme.  Për Kosovën është më rëndësi të identifikoj shtetet që kanë hezitim për të votuar pro anëtarësimit dhe në ditët që kanë mbetur  të bindin këto shtete pse të njëjtat duhet të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Express.

Ai thotë se skandalet e fundit të cilat kanë sigurinë juridike të Kosovës kanë ndikuar negativisht duke i dhënë mundësinë Serbisë që t’i përdor ato si argumente për të bindur shtetet e ndryshme  të mos e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

“Pa dyshim se edhe përkundër faktit se Kosova kishte bërë hapa shumë pozitiv drejt plotësimit të kritereve teknike për të aplikuar në INTERPOL, skandalet e fundit që cenojnë ë sigurinë juridike në Kosovë të shtetasve Kosovare por edhe shtetasve të huaj, mund të përdoren nga Serbia por edhe shtete tjera që nuk kanë qëndrim miqësor ndaj Kosovës si kundër argumente për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm”, ka shtuar tutje ai.

Sipas Miftarajt, Kosova strategjinë e saj për anëtarësim duhet ta bazojë në ato shtete mike të cilat e përkrahin Kosovën dhe fuqizimin e ligjit në vend.

“IKD në vazhdimësi ka potencuar se Kosova strategjinë e saj duhet ta bazoj në ndihmën e shteteve mike dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.  Argumenti më i fuqishëm për tu anëtarësuar në këto mekanizma është sundimi i ligjit, siguria juridike, mekanizma efikas dhe të pavarur lidhur me mbrojtjen  e të dhënave  personale dhe pavarësia e institucioneve të sigurisë.  Fatkeqësisht, kohëve të fundit Kosova ka pasur dështime të njëpasnjëshme në këto fusha”, ka përfunduar Miftaraj.

Ndryshe sipas mediave serbe, vendet që do të votojnë pro anëtarsimit të Kosovës janë :

Afganistani, Shqipëria, Gjermania, Andorra, Arabia Saudite, Australia, Austria, Bahamet, Bahrejn, Belgjika, Belize, Benin, Brunej Darusalam, Bullgaria, Burkina Faso, Kanada, Kosta Rika, Ishujt Faro, Kroacia, Danimarka, Xhibuti, El Salvador, Emiratet e Bashkuara Arabe, Estonia, Maqedonia, Fixhi, Finlanda, Franca, Gaboni, Gambia, Gana, Grenada, Guinea, Gvajana, Haiti, Hondurasi, Hungaria, Ishujt Kuk, Ishujt Solomon, Irlanda, Islanda, Italia, Jordani, Kuvajti, Letonia, Libia, Lituania, Luksemburgu, Malajzia, Malavi, Malta, Monaco, Mali I Zi, Nauru, Nigeri, Norvegjia, Zelanda e Re, Omani, Pakistani, Panama, Holanda, Portugalia, Katari, Republika Dominikane, Çekia, Tanzanija, Britania e Madhe, Ruanda, Shën Luçia, Shën Kits dhe Nevis, San Marina, Samoa, Senegali, Sierra Leone, Sllovenia, Somalia, Sudani, Suedia, Zvicra, Çad, Tajlanda, Timori Lindor, Togo, Tonga, Turqia, Jemeni.

Ato kundër:

Afrika e Jugut, Angola, Argjentina, Armenia, Bjellorusia, Bolivia, Botsvana, Brazili, Burundi, Kili, Kina, Qipro, Kongo, Kuba, Ekuadori, Eritrea, Spanja, Etiopia, Rusia, Gjeorgjia, Guatemala, Guinea Ekuatoriale, Guinea Bisao, India, Indonezia, Kazakistani, Kirgistani, Libani, Lesoto, Liberia, Maroku, Mauriciusi, Mozambik, Meksika, Mjanmar, Namibia, Nikaragua, Uganda, Palestina, Paraguaji, Filipinet, Siria, Moldavia, Republika Demokratike e Kongos, Republika Popullore Demokratike e Laos, Republika Republika Popullore Demokratike e Koresë, Papua Guinea e Re, Serbia, Sllovakia, Sudani Jugor, Sri Lanka, Surinamet, Uruguaji, Venezuela, Zimbabve.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme