Sela: Do të vazhdojmë t’i arikulojmë politikisht nevojat e shqiptarëve në Maqedoni

Prishtinë | 22 Maj 2017 | 16:34 | Nga

Ngjarjet e 27 prillit lideri i LR-PDSH-së i vlerëson si “atentat ndaj nevojave të shqiptarëve në Maqedoni dhe atentat ndaj artikulimit politik të këtyre nevojave që si LR-PDSH i kanë bërë gjatë kësaj periudhe”.

Lideri i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare (LR-PDSH), njëherësh udhëheqës i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, Ziadin Sela, në adresimin e tij të parë para opinionit pas ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, deklaroi se “ata u vranë më 27 prill, por u ringjallën përsëri më 27 prill”. Sela theksoi se koalicioni që drejton ai do të vazhdojë që nevojat e shqiptarëve këtu në Maqedoni t’i artikulojnë politikisht akoma më fuqishëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë lideri i LR-PDSH-së i vlerëson si “atentat ndaj nevojave të shqiptarëve në Maqedoni dhe atentat ndaj artikulimit politik të këtyre nevojave që si LR-PDSH i kanë bërë gjatë kësaj periudhe”.

Sela foli edhe për bisedimet pas mandatimit të kreut të LSDM-së për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë. Ai theksoi se koalicioni “Aleanca për Shqiptarët” çdo herë ka qenë për qeverisje të re, të reformuar dhe në shërbim të qytetarëve.

“Jemi për qeverisje të re dhe qeverisja e re do të ketë përkrahjen tonë. Pak rëndësi ka a do të jemi ne fizikisht prezent pjesë e qeverisë ose jo, sepse për këtë do të duhet të marrin vendim organet e partisë. Mirëpo, ne qeverinë e reformave do ta përkrahim ashtu siç do t’i përkrahim dhe do të jemi katalizator kryesor i realizimit të interesave të shqiptarëve në këtë qeverisje të re”, deklaroi Sela.

Në pyetjen se a do të kërkojë përgjegjësi politike për sulmin që u bë ndaj tij më 27 prill, Sela tha se së pari do të kërkojë që të zbardhen, siç tha ai, “rastet e montuara ndaj shqiptarëve”.

“Përpara se të kërkoj përgjegjësi politike për 27 prillin dhe përgjegjësi individuale në aspekt të së drejtës të dikujt, unë do të kërkoja që të lirohen dhe sa më shpejtë të zbardhen procesi i montuar politik i Monstrës, vrasjes së Harun Aliut dhe shumë proceseve të montuara politike”, u shpreh Sela, duke shtuar se ai nga deklarata e partive shqiptare në Maqedoni nuk heq dorë.

Ndryshe, Ziadin Sela ishte deputeti që pësoi më së shumti nga sulmi i protestuesve të dhunshëm të cilët u futën për të ndaluar zgjedhjen e Talat Xhaferit si krye-parlamentar. Ai rreth dy javë ditë qëndroi në kujdes spitalor në qytetin e Tetovës, ndërsa më pas udhëtoi edhe jashtë shtetit për të realizuar disa ekzaminime plotësuese në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore.

Kujtojmë se mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, mbështetës të VMRO-DPMNE-së, që ishin tubuar para ndërtesës së Kuvendit u futën me dhunë brenda ndërtesës. Si pasojë e dhunës së protestuesve që kishin cak deputetët, mbetën të plagosur rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, punonjës të policisë dhe përfaqësues të medias.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme