Kandidati i AKR-së për Kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, pak orë para heshtjes zgjedhore e ka përmbyllur fushatën zgjedhore, duke iu festimit të 30-vjetorit të tifozëve prishtinas të njohur si “Plisat”.
Ai ka thënë se është nder dhe krenari që gjendet para atyre që e mbajnë gjallë sportin e Kosovës.
“Të jem bashk me ju në fushtaën zgjedhore është krenari. Ju jeni simboli i rezistencës mbarë shqiptare, Ju jeni ata që na jepni krenari kudo që prezantohet kombëtarja e Kosovës. Ju jeni ata që e ngjallni kudo shpirtin e shqiptarëve dhe të Prishtinës. Plisat të bëjnë të besosh në të ardhmen dhe ëndrrën ta bësh realitet. Ju Plisa besuat në të pamundurën. Ju jeni simboli i rezistencës mbarë shqiptare. Në vitet e ‘80 ndezët venat liridashëse të secilit shqiptarë, dinte apo nuk dinte të luante futboll ju ishit ata që i shtyat të arrijnë fitore. Ku ka plisa është Shqipëria”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se “Plisat” i bashkuan shqiptarët në të gjitha trojet etnike. “Kushdo në jetë mund të jetë sportist, profesionist, mund të jetë familjarë, biznesmen, policë e ushtarë, apo edhe politikan, por duke jetuar në Kosovë, duke folur shqip secili nga ne në shpirt e ka një plis. O sa mirë me qenë shqiptarë o hej”, ka thënë ai.
Sipas tij, “Plisat” më shumë se çdokush e duan dhe e respektojnë Prishtinën.
“Prishtina është qyteti dhe shtëpia ime sikurse është shtëpia e secilit Plis. Ne do ti thyejmë barrierat bashkë dhe do ta bëjmë këtë qytet edhe më madhështor. Zotohem se kudo që do të jem nesër në çfarëdo institucioni që do të jem nesër do të jem pjesë e juaja dhe së bashku do të rrugëtojmë edhe 3000 vjet drejt fitoreve”, ka thënë Pacolli.