Kërkesa e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të bërë ndaj ShBA-së për përfshirje në dialog me Serbinë, është ende duke u shqyrtuar.
Ani pse ende s’ka përgjigje zyrtare nga SHBA-të për përfshirje në fazën përfundimtare të dialogut mes Prishtinës e Beogradit, i cili po zhvillohet në Bruksel, ky qëndrim i presidentit nuk është mirëpritur nga Vetëvendosje.
Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes ka thënë për lajmi.net, se Kosova nuk duhet miqtë e saj t’i shfrytëzojë për dialogun e padrejtë me Serbinë
“SHBA-të janë pjesë e përhershme në rrugëtimin e shtetbërjes së Kosovës. Por, Qeveria e Kosovës nuk duhet që miqtë e saj t’i shfrytëzojë për dialogun e padrejtë me Serbinë”, ka thënë ai.
Selimi thotë se Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga SHBA-të që të pavarësohet nga politikat e Serbisë në Kosovë e jo që e të mbes edhe me tutje në varësin e saj.
“Dialogu me Serbinë e mbanë Kosovën peng të politikave të Beogradit. Prandaj ne duhet të kërkojmë ndihmë nga SHBA-të që të pavarësohemi nga politikat e Serbisë në Kosovë e jo që e të mbesim edhe me tutje në varësi të një agjende krejt të dëmshme për Kosovën siç është dialogu në Bruksel”, është shprehur deputeti i VV-së.