Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka folur për luftën e UÇK-së në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale.
Selimi tha se kërkon drejtësi dhe se kjo duhet të jetë qëllimi.
“Ju faleminderit. I nderuar z. gjyqtar. E di që ndoshta këtu nuk është momenti dhe as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate, spese e ka themeluar Kuvendi i Kosovës. Unë si deputet i atij Kuvendi e pata kundërshtuar këtë gjykatë…. Donim që drejtësia të bëhej në Kosovë”, ka thënë Selimi.
Ai ka kujtuar se Serbia e ka paditur Kosovën në Gjykatë për pavarësinë.
“Vetëm pak muaj pas vendimit të kësaj gjykate, Serbia nxori një raport nda Dick Marty si kundërpeshë ndaj pavarësisë së legjitimuar të Kosovës…. Sidoqoftë, ja ku jemi. Kjo gjykatë është fakt. E unë këtu nuk jam si një deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë, por si luftëtar dhe një nga themeluesit e UÇK-së”, ka thënë Selimi.
“Rolet këtu i kemi të ndara, por ju lutem më bëni të besoj që qëllimi i t1% gjithëve këtu është drejtësia”.
“Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze dhe e padrejtë, për mua dhe për luftën. Por vetë ky proces do ta dëshmojë se lufta ishte e drejtë dhe e pastër dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi”
“Po, unë kam luftuar kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbie që veç të këqija i ka sjellë vendit tim. Prandaj unë e kam bërë vetëm detyrën time. Unë jam veç një çlirimtar që luftën e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kam përfunduar me gjeneralin Klark… Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta, duhet të jetë qëllimi i të gjithëve këtu, ashtu siç do të jetë qëllimni im parësor në këtë proces”, ka thënë Selimi.
Gjykatësi Nicolas Guillou në fillim të seancës i ka treguar procedurat dhe rregullat që ndiqen në atë që quhet si “paraqitja e parë e të akuzuarit”, teksa një administrator i gjykatës më pas i ka lexuar akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që rëndojnë mbi ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimin. “Rexhep Selimi mban përgjegjësi si epror për akuzat”, ka thënë ai ndër tjerash.
Selimi ka pohuar se e ka marrë në gjuhën shqipe dhe e ka lexuar aktakuzën kundër tij.
“Po, konfirmoj se e kam marrë aktakuzën në gjuhën shqipe, të redaktuar”, ka deklaruar Selimi.
Të enjten e javës që shkoi, me një avion ushtarak, shefi i GP të LVV-së, Rexhep Selimi, dhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, u nisën për në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tyre.
Një ditë më herët, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua gjithashtu për në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Selimin, Thaçin, Veselin e Krasniqin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon katër ish-krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.