Ish-komandanti i UÇK-së, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se presidenti Hashim Thaçi po mundohet që me idenë e tij për bashkim me Luginën e Preshevës ta fshehë ndarjen e brendshme të Kosovës dhe formimin e Asociacionit, si interes i Serbisë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Selimi ka shprehur dyshime për qëllimin e presidentit kur flet për korrigjim të kufirit me Serbinë.
“Thaçi me atë që po mundohet ta proklamojë e që po e quan korrigjim të kufirit po mundohet, dhe deri diku ndoshta ia ka arritur, ta fshehë për momentin atë çfarë në të vërtetë ai ia ka gatuar Kosovës, ndarjen e brendshme të Kosovës dhe jetësimin e ‘Zajednicës’ si interes i Serbisë në Kosovë. Kjo është më e pakta që ai po proklamon”.
“Kur ai përmend korrigjimin e kufirit, ai gjithsesi po mundohet ta përgatisë opinionin që ky kufi edhe mund të mos jetë, pra me Serbinë. Kur ai thotë korrigjim paramendoje cila është e vërteta”.
Selimi tutje thotë se Thaçi nuk guxon t’i japë vetes të drejtën që të vendosë diçka fshehurazi e në mënyrë sekrete dhe pastaj qytetarët t’i vuajnë pasojat.
Sipas tij, presidenti Thaçi nuk ka të drejtë dhe mandat t’i japë dikujt pjesë të territorit të Kosovës e as t’i vë në pazar trojet dhe interesat e shqiptarëve.
“…ai nuk ka të drejtë as të shesë e as të fusë territore të Kosovës dhe të shqiptarëve në pazar, aq më tepër me Serbinë. Pra, ai nuk ka të drejtë e as mandat t’i japë pjesë të territorit të Republikës askujt dhe në anën tjetër nuk ka të drejtë ta reduktojë çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në këmbimin e ndonjë hapësire të veçantë atje”.
Selimi ka akuzuar Thaçin për bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në dëm të Kosovës.
“Kur bëhet fjalë për Thaçin, gjithçka është e pritshme nga ai. Por, veç diçka nuk mund të presim nga ai, që Thaçi dhe Vuçiqi po mendojnë mirë për Kosovën. Kështu që gjithçka e keqe në këtë rast, për fat të keq, është e pritshme prej këtyre dy njerëzve, një binom i cili po vazhdon të funksionojë goxha në mënyrë perfekte. Tashmë kemi të bëjmë jo vetëm me një president të keq, tashmë kemi të bëjmë me një president të rrezikshëm për Kosovën”.
Selimi thotë se Serbia po e shfrytëzon Thaçin për t’i realizuar interesat e veta në Kosovë.
“Paramendojeni, mbrojtësi më i madh i interesave të Serbisë në Kosovë po del të jetë presidenti i Kosovës. Për dikë mund të quhet paradoks, por kur kemi të bëjmë me Thaçin për fat të keq ka qenë e pritshme”.