Ministri i Drejtësisë, Selim Slimi ka thënë se në dialogun me Serbinë që do të mbahet në Bruksel. çështja e parë që do të diskutohet është fati i të pagjeturve.
Ajo këto komente i bëri gjatë raportimit në Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut
Kryeministri Avdullah Hoti nuk po merr pjesë në komision, ndërsa për këtë temë ka deleguar ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.
“Me rinisjen e dialogut në Bruksel jemi deklaruar se çështja e të pagjeturve do të jetë çështja e parë, pa të cilët nuk mund dhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Kjo tregon edhe për përkushtimin tonë si Qeveri. Gjatë tri takimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh në Bruksel janë vendosur parimet bazë për zgjidhjen efikase të kësaj çështjeje. Në marrëveshjen në Bruksel parashihet të krijohet komision i përbashkët që do të udhëhiqet nga një përfaqësues i BE-së dhe që do të jetë përgjegjës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Selimi.
Ai shtoi se “Serbia ka informata të bollshme për vendndodhjen e të pagjeturve por ajo vazhdon ta luajë rolin e saj obstruktiv”.
Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj po ashtu ka deleguar një përfaqësues nga dikasteri i saj.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se çështja e të pagjeturve është përfshirë në Marrëveshjen në Washington.
“Edhe pse Marrëveshja e Washingtonit ka elemente kryesisht ekonomike ne kemi insistuar që çështja e të pagjeturve të jetë pjesë e marrëveshjes. E keni parë pikën e të pagjeturve që ka hyrë në Marrëveshjen e Washingtonit”, tha Selimi, raporton KOHA.
Në politikat tona, tha Selimi, MD-ja është duke e bërë ligjin për të pagjeturit dhe rregullimin e kodit të procedurës penale ku, siç u shpreh ai, “do të rregullojmë ndjekjen dhe gjykimin në mungesë”.
“Për çështjet të cilat janë diskutuar më në detaje që unë s’kam qenë prezent jam kundër dhe do të jem kundër dialogut teknik. Çështja e të pagjeturve është çështje juridike. Unë mendoj që në këto diskutime çështja e të pagjeturve duhet ta merr zotimin e Serbisë për ballafaqim me të kaluarën e saj kriminale. Ta marrë përgjegjësinë e vetë dhe t’i hapë ato varreza. Unë mendoj që çështja e të pagjeturve ka dimension të drejtësisë, shërimit, reparacionit shpirtëror. Fakti i gjetjes së trupave i ngërthen edhe këto pikëpyetje që i kemi”, shtoi ministri Selimi.