Selimi: Nuk i besoj Thaçit për Ushtrinë

Prishtinë | 19 Mar 2017 | 08:58 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një intervistë për Ekonomia Online është shprehur jo aq optimist se Projektligji për FSK-në do të sillet në Kuvendin e Kosovës për t’u votuar.

Selimi, i cili është anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë se nuk i beson shumë këmbëngulësisë dhe vendosmërisë së presidentit Hashim Thaçi për ta çuar deri në fund këtë ligj, duke e parë një kundërshtim të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne si opozitë rolin tonë do ta kemi tashmë në komisione parlamentare. Theksoj nëse vjen ky ligj në komisione parlamentare, do ta kemi rolin tonë, dhe votën tonë nëse vjen në seancë një projekligj i tillë. E them nëse vjen, sepse për shkak që nuk i besoj shumë këmbëngulësisë dhe vendosmërisë së Thaçit në këtë rrugë e aq më tepër kur ka një kundërshtim kaq të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës së tyre këtu në Kosovë”, ka deklaruar Selimi.

Deputeti Selimi iniciativën e presidentit Thaçi e konsideron si pjesë të agjendës elektorale të tij.

Sipas tij, pushteti pret që Vetëvendosje ta kundërshtojnë ligjin për FSK-në. “Por, ne do ta zhgënjejmë pushtetin, e do t’i mbështesim ndryshimet”.

Selimi, më tutje, ka theksuar se presidenti Thaçi, nëpërmes nenit 4 dhe 5 të Ligjit për FSK-në ka dashur “të kontrabandojë edhe kompetencat që nuk i takojnë atij dhe që janë më shumë kompetenca të shteteve jodemokratike për një president”.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Tashmë presidenti i vendit ka marrë iniciativë ku edhe ka sjellur projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, ju si Vetëvendosje keni thënë se do ta përkrahni këtë projektligj mirëpo do të bëni analiza të këtij projektligji , a keni bërë ndonjë analizë të tillë?

Selimi: Në fakt ne e kemi mbështetur për çështje parimore avancimin e misionit të FSK-së, në mision ushtarak në pamundësi aktuale të avancimit të rolit kushtetues të saj, pra edhe me ndryshimet kushtetuese. Sido që të jetë një projektligj si rezultat i një pune më shumë se tre vjeçare të ekspertëve të FSK-së duket që Thaçi e ka marrë dhe e ka bërë pjesë të agjendës së vet elektorale, është çështje e tij se si ai menaxhon me këto tema, nuk është e mirë, por sidoqoftë ne jo për inate e as për hatër të kurrkujt e mbështesim ndryshimin që avancon misionin e FSK-së nëse këto ndryshime vijnë në Kuvendin e Kosovës , pra ne i presim aty ku duhet.

Normalisht që paraprakisht ai edhe nuk i ka bërë të tjerët pjesë të kësaj të ashtuquajture iniciativë , duket që nuk është koordinuar me asnjë nga faktorët relevant, as me ekspertët, as me opozitën as me institucionet vendore duke përfshirë edhe kryeministrin dhe ministrin e FSK-së dhe siç po duket nga reagimet e ndërkombëtarëve, ambasadave sidomos të ambasadës amerikane dhe përfaqësuesve të NATO-s , ai ka bërë një gabim shumë të madh nuk është koordinuar pra as me aleatët tonë strategjikë që i bien që ka bërë një gabim shumë të madh i cili gabim rrezikon edhe relacionet e Kosovës me partnerët strategjikë , po ashtu edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Në ndërkohë ne i kemi bërë të gjitha analizat e kemi proceduar në komitetin tonë të sigurisë të Lëvizjes Vetëvendosje projektligjin, përveç pikës të nenit 4 dhe nenit 5 ku gjatë boshtit të këtij ndryshimi kemi hasur shumë probleme ne strukturën e ligjit, pra në skeletin e ligjit probleme të cilat duket që nuk janë të rastësishme për shkak që duket se Thaçi dhe që janë në hijen e ndryshimeve në nenin 4 dhe 5 ka dashur të kontrabandojë në kuadër të këtij ligji edhe kompetencat që nuk i takojnë atij dhe që janë më shumë kompetenca të shteteve jodemokratike për një president.

EO: Kur jemi te partnerët strategjikë ka njëfarë stagnimi, njëfarë kundërshtimi të ShBA-së dhe të NATO-s, a mendoni që vetëm nëse formohet Ushtria do të kemi pasoja nëse vjen një kundërshtim i tillë?
Selimi: Tash për hir të kësaj ne nuk mund ta kundërshtojmë avancimin e misionit të FSK-së në mision ushtarak e as për hatër të kërkujt.

Sidoqoftë mbështetja jonë është e vijës së mbështetjes parimore, po ashtu edhe vërejtjet tona janë vërejtje profesionale. Kështu që brenda kufijve të parimeve në kuadër të profesionales e kemi dhënë dhe vazhdojmë ta japim kontributin tonë. Normalisht që ne si opozitë rolin tonë do ta kemi tashmë në Komisione Parlamentare, theksoj nëse vjen ky ligj në Komisione Parlamentare dhe po ashtu do ta kemi rolin tonë dhe votën tonë në seancë nëse vjen në seancë një projektligj i tillë.

E them nëse vjen, sepse për shkak që nuk i besoj shumë këmbëngulësisë dhe vendosmërisë së Thaçit në këtë rrugë, e aq më tepër kur ka një kundërshtim kaq të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sidomos përmes ambasadës së tyre këtu në Kosovë.

EO: Çka nëse Qeveria e procedon për në Kuvend në të njëjtën ditë edhe demarkacionin bashkë me këtë projektligj?

Selimi: Ne kemi kundërshtuar pako të tilla, ne kemi kundërshtuar koncesione të tilla, ne nuk i pranojmë asnjëherë, pra do ta kundërshtojmë me vendosmëri Demarkacionin dhe do ta votojmë pasi kemi dhënë vërejtjet tona ndryshimin e misionit të FSK-së në mision ushtarak.

Kështu që ne nuk i përziejmë, pavarësisht që ata duan t’i përziejnë dhe jo për të fituar ne një ushtri, por për të fituar një marrëveshje të dëmshme, sepse ata e kanë këtë qëllim, kurse ne e kemi qëllimin e kundërt për ta kundërshtuar një marrëveshje të dëmshme dhe për të pasur kapacitete ushtarake në nivelin çfarë do të duhej të kishim, për shkak se Kosova ka nevojë për ushtrinë e vet, ka nevojë për ndërtimin e saj shtetëror, ka nevojë për ndërtimin e paqes, po ashtu ka nevojë edhe për ndërtimin e partneritetit mes aleatëve tonë strategjikë.

EO: Do të thotë projektligjin për FSK-në do ta votoni, ndërsa Demarkacionin do ta kundërshtoni?
Selimi: Normalisht ne nuk kemi ndryshuar qasje, sepse ne edhe kur kanë ardhur ndryshimet kushtetuese në vitin 2014 që avanconin FSK-në në Forcë të Armatosur e kemi mbështetur, pavarësisht që edhe atëherë edhe sot pushteti ka dashur që ne t’i kundërshtojmë ato. Pra, ne do ta zhgënjejmë pushtetin e do t’i mbështesim ato.

Të ngjashme