Selimi krahason Mustafën me Titon

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 09:23 | Nga

Deklaratat e kryeministrit të Republikës, Isa Mustafa në lidhje me atë se; subjektet opozitare kanë kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, ka nxitur reagime nga opozita.

Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, në një prononcim për “Indeksonline” ka mohuar të jetë penguar puna në Kuvend, teksa thotë se kundërshtimi i këtyre dy marrëveshjeve është puna më e mirë e opozitës. Sipas tij, Mustafa është munduar që për punën e keqe të Qeverisë t`ia hedh fajin opozitës.

“Ne nuk e kemi penguar punën e Kuvendit, por e kemi penguar “Zajednicën” dhe demarkacionin deri sa i kemi bë të pamundshme të dyja dhe kemi bë mirë. Kjo është puna më e mirë e opozitës. Nuk mund të thuhet që pengesa për këto çështje ka pasur pasojë në punën e keqe të Qeverisë. Tek e fundit, nëse ne kemi penguar ato, kjo nuk nënkupton që ata me qenë edhe më të korruptuar qysh edhe janë. Pra, kjo është thjeshtë një justifikim edhe një tendencë për ta bërë opozitën fajtore, fakt që nuk është”, është shprehur ai.

Lidhur me protestat që opozita i pati organizuar për kundërshtim të këtyre dy marrëveshjeve, Mustafa sot ka deklaruar se kanë qenë të dhunshme.

Por, duket se Selimi e ka një përgjigje për Mustafën. Ai pothuajse e krahason kryeministrin me ish-presidentin Jugosllav, Josip Broz Titon. Sipas Selimit, dhuna ka ardhur nga pushteti që është përcjellur përmes Policisë së Kosovës kundrejt protestuesve.

“Nuk e di cilat protesta i ka dëshirë Isa Mustafa. Ndoshta Isa Mustafa për të kaluarën e tij mund të kërkojë që njerëzit të dalin në rrugë dhe të bëjnë vrasje sikur dikur shoku Tito. Por, protestat e Lëvizjes Vetëvendosje, protestat e opozitës kanë qenë legjitime, kanë qenë në përputhje me krejt normat e protestës, kanë qenë thjeshtë protesta dinjitoze. Dhuna nuk ka ardhur nga protestuesit, dhuna ka ardhur nga pushteti dhe nga urdhrat e tij kundrejt policisë për t`i shtypur protestuesit me dhunë. Prandaj nëse thuhet ka pasur dhunë në protesta, po ka pasur dhunë policore nga ana e pushtetit”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Për Selimin, Qeveria e Kosovës është shkelëse e Kushtetutës, gjë të cilën e ka vërtetuar edhe Gjykata Kushtetuese në marrëveshjen për Asociacionin.

Kurse për demarkacionin, Selimi thotë se Mustafa nuk e ka problem ta falë tokën e Kosovës dhe ta shkelë interesin e vendit.

“Situata edhe një herë e ka vërtetuar që kryeministri Isa Mustafa nuk e ka problem me dhënë tokë të Kosovës, nuk e ka problem edhe me e shkel interesin e Kosovës, nuk e ka problem edhe me e shkel Kushtetutën e Kosovës. Dhe, një gjë të tillë e ka vërtetuar vet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku në Qeverinë e Kosovës janë nxjerrë shkelës të Kushtetutës, e tash si mund të presin ne ndryshe reflektim të një qeverie e cila tashmë është qeveri jo vetëm legjitime por është edhe jo legale në përputhje me atë çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese”, është shprehur tutje ai.

Selimin thotë se koalicioni PDK-LDK dhe Lista Serbe tashmë po vërehet një nivel i nervozizmit, i cili shfaqet në opinionin publik dhe i bën të jenë të pakuptueshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme