Lëvizja Vetëvendosje po thotë se çështja e bashkimit të Kosovës me Medvegjën, Preshevën dhe Bujanocin po përdoret si karrem nga Presidenti Thaçi për ta hapur një çështje tjetër që ka të bëjë me ndarjen e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, po thotë se duhet të ndodh bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocin me një Kosovë të bashkuar dhe jo me një Kosovë që paguan çmimin e ndarjes.
“Thaçi po përpiqet të manipulojë dhe jo ta zgjidh çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit . Përmendja e bashkimit nuk është asgjë tjetër veçse karrem për ta hapur një çështje që ka të bëjë me ndarjen e Kosovës. Fondament do të duhej të ishte Referendumi i vitit 1992”, tha Selimi.
Selimi tha se Presidenti i Kosovës e ka përgatitur një Rezolutë që pritet ta sjellë në Kuvend që ka të bëjë me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc duke mos harruar se ka pasur disa herë Rezoluta dhe nuk është bërë asgjë.
“Flitet për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanoci, por në të njëjtën kohë flitet edhe për idenë për shkëmbim territoresh. Është e papranueshme diçka që është edhe e rrezikshme. Në ndërkohë deri më tani, pavarësisht kontakteve të Presidencës dhe Qeverisë me përfaqësues të Preshevës asnjë marrëveshje nuk ekziston, as për Rezolutën për të cilën po flasim”, tha ai.
Ai po thotë se në negociatat me Serbinë kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me drejtësisë dhe krimet e luftës po mbesin të hapur dhe të papërmbushur nga Serbia.
“Një çështje shumë e rëndësishme, e pazgjidhur dhe e manipulueshme nga faktorët qeveritar në Kosovë dhe Shqipëri po mbetet gjendja e shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc. Këta kapituj kanë të bëjnë drejtpërdrejt me gjendjen e tyre dhe çështje e pazgjidhur. Shqiptarët në këto komuna janë në gjendje të rëndë ku si pasojë e kemi edhe zhvendosjen e këtyre komunave”, tha ai, raporton EO.
Selimi tha se dialogu duhet të kushtëzohet me çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Ai është pyetur edhe për Platformën e Dialogut e cila pritet të shkojë në Kuvend për votim, për të cilën ka thënë se nuk mund të komentojë derisa ta shohin dhe t’i japin qëndrimet e tyre.