Pas publikimit të dokumenteve zyrtare rreth vrasjes së Ukshin Hoti nga shteti serb në vitin 1999, ka reaguar ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Selimi ka shkruar në Facebook se Qeveria e Serbisë përkundër faktit se ka informacione për fatin e Ukshin Hotit nuk i ka publikuar asnjëherë ato.
“Shfaqja e dokumentarit “Udhëve” në RTK, ka hedhur dritë mbi vrasjen e veprimtarit Ukshin Hoti, bazuar në një dokument që ka rrjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Qeveria e Serbisë, edhe përkundër faktit që ka informacione për fatin e Ukshin Hotit, asnjëherë nuk i ka publikuar ato dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i sjellë të dyshuarit para drejtësisë, siç nuk ka bërë për asnjë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Selimi.
Ai ka thënë tutje se është e papranueshme që në tavolinën e dialogut Serbia që është agresori të barazohet me viktimën, në këtë rast Kosovën.
“Për më tepër, është e papranueshme disbalanca e presionit ndërkombëtar për krime lufte ndaj Kosovës krahasuar me atë ndaj Serbisë dhe që agresori të barazohet me viktimën në tavolinën e dialogut. Kosova nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin dhe të gjithë ata qytetarë të Kosovës, për fatin e të cilëve nuk dihet edhe 21 vjet pas lufte. Nuk do të lejojmë që krimet të mbesin pa u ndëshkuar”, ka shkruar ministri./Express/