Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot është takuar me drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, dhe Avokatin e Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi.
Gjatë këtyre takimeve, Ministri Selimi është njoftuar për punët, objektivat, sfidat dhe proceset që kanë këto dy Agjenci, të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministri Selimi, është njoftuar nga Drejtori i SHKK-së, Thaçi për progresin e arritur në këtë agjenci, që sipas tij është me rëndësi të posaçme për një shtet të ri.
“Si përkushtim ndaj fuqizimit të sundimit të ligjit, jemi të fokusuar në rritjen e efikasitetit të mekanizmave të sistemit juridik, e në këtë kontekst edhe në modernizimin e digjitalizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, deklaroi Ministri Selimi.
Gjatë ditës, Ministri Selimi është takuar edhe me Avokatin e Përgjithshëm Shtetëror, Istrefi, nga i cili është njoftuar për gjendjen, sfidat dhe projeksionet për të ardhmen e Avokaturës Shtetërore.
“Avokatin e Përgjithshëm Shtetëror e sigurova për mbështetjen time, veçanërisht në krijimin e kushteve dinjitoze të punës në këtë agjenci”, theksoi Ministri Selimi.