Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
Në fokus të bisedimeve gjatë këtij takimi ishin marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe veçanërisht bashkëpunimi që ka Ambasada kroate me Ministrinë e Drejtësisë, i cili vazhdimisht intensifikohet në fusha të caktuara dhe projekte konkrete.
Ministri Selimi theksoi se Ministria e Drejtësisë është e vendosur për të vijuar në rrugën e reformave të ndërmarra në funksion të forcimit të shtetit ligjor dhe përkrahja e shtetit mik si Kroacia është tejet e rëndësishme. Sipas tij, reforma e thellë e gjithëpërfshirëse në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reflektojnë standardet e BE-së dhe kjo më së miri tregon për prioritetin madhor të Qeverisë së Kosovës për rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, ambasadorja Barishiq theksoi se Kroacia do të ofroj mbështetje për të ardhmen evropiane të Kosovës si dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimit evropian të vendit.