Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun i tij serb, Aleksandër Vuçiq, kanë diskutuar sot në Bruksel për hapjen e një faze të re të bisedimeve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimi Evropian, Federica Mogherini, raporton EkonomiaOnline.
Pas takimit BE, përmes një komunikate për se palët janë dakoruar për një fazë të re të dialogut ndërmjet dy vendeve për normalizim dhe pajtim.
Thaçi në vitin 2012, në rolin e kryeministrit kishte nisur dialogun në nivel të lartë mes dy shteteve. Për Rexhep Selimin, nga Lëvizja Vetëvendosje, Thaçi ka mbetur nën hijen e bisedimeve me shtetin serb.
Selimi në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se presidenti Thaçi karrierën e tij politike e ka ndërtuar falë dialogut me Serbinë.
“Në fakt ajo që po ndodh me Thaçin është që gjithë karrierën e tij e ka ndërtuar mbi bisedimet me Serbinë, sepse po t’ia heqim bisedimet me Serbinë as në kohën kur ka qenë kryeministër e as sot që është në zyrën presidenciale nuk ka se çka të tregoj diçka tjetër pra duket se e ka lidhur shumë ngushtë karrierën e tij me bisedimet me Serbinë edhe tash me pozicion tjetër ndryshe prej pozicionit të kryeministrit ai dëshiron që bisedimet me Serbinë t’i ketë një lloj specialiteti të vet”, është shprehur Selimi.
Sa i përket mënyrës se si duhet të vazhdohet ky proces, Rexhepi ka thënë se Kosova duhet të bëjë së pari dialog me Brukselin në mënyrë që t’i tregoj kërkesat të cilat i ka për të vazhduar tutje.
“Ne duhet që fillimisht të kemi dialog me Brukselin që faktikisht nuk ka ndodhur, pra ne duhet të ja bëjmë me dije qëndrimit tonë si një partner dhe një udhërrëfyes për integrimin tonë, ne kurrë nuk duhet të pranojmë që rruga e integrimit të Kosovës të jetë e ndërlidhur me raportet me Serbinë, është e kundërta Serbia ka kushte në rrugën e saj të integrimit e një ndër kushte në rrugën e saj është edhe raporti që ka me Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, me vazhdimin e dialogut Kosova po i shërben integrimit të Serbisë.
“Me vetëdije apo pa vetëdije Kosova po i shërben integrimit të Serbisë duke penguar vetveten, sepse i gjithë ky dialog tek e fundit do të jetë i shfrytëzueshëm vetëm për integrimin e Serbisë. Ne duhet që në bisedime me Brukselin të ja bëjmë me dije qëndrimet tona e mbi të gjitha të ja bëjmë me dije interesat tona, interesat tona shtetërore, edhe për Brukselin do të jetë e mirë se ardhur rruga me e drejtë ma e shkurtë ma e lehtë për integrimin e serbëve në Kosovë”, tha ai.
Selimi ka folur edhe për nëntë pikat e propozuara nga Albin Kurti për mënyrë se si duhet të vazhduar dialogu. Ai thotë se këto pika theks të veçantë i vënë dialogut me serbët lokal.
“Lëvizja Vetëvendosje është kundër këtij dialogu, kundër kësaj forme të dialogu dhe Lëvizja Vetëvendosje mendon se dialogu nuk duhet të jetë Kosovë-Serbi, por se Qeveria e Kosovës duhet të dialogoj me serbët e Kosovës me cilindo problem që e kanë ata për dy arsye, në radhë të parë ky problem duhet të zgjidhet me qytetarët e Kosovës dhe në radhë të dytë duhet që Qeveria e Kosovës duhet të flas në mënyrë të përfaqësuesit legjitim të serbëve të Kosovës e në këtë rast nuk janë as Lista serbe as Vuçiq e as shefi i zyrës për Kosovë, Gjuriq kështu që nëse ne nuk e përjashtojmë Serbinë nga zgjidhja e problemit qoftë edhe me serbët e Kosovës kemi problem të madh”, ka thënë Selimi.
Ai ka shtuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm në interes të Serbië dhe se ky shtet dëshiron ta mbaj Kosovën peng sa më gjatë në këtë dialog.