Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, e ka akuzuar presidentin Thaçi se po e rrezikon partneritetin me miqtë ndërkombëtarë për çështjen e ushtrisë. Madje Selimi, kreun e vendit po e konsideron shumë të rrezikshëm për Kosovën.
Të mërkurën, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ishte shumë i qartë dhe madje edhe i ashpër në deklaratën e tij rreth ushtrisë. “Të ndalet ushtria, Thaçi dhe Veseli nuk janë koordinuar me SHBA-në”, u shpreh ai.
Për këtë çështje, deputeti i VV-së Rexhep Selimi tha të enjten për Express se në këtë mënyrë Thaçi nuk po e rrezikon vetëm partneritetin me NATO-n e SHBA-në, por po e rrezikon edhe ushtrinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Me veprimet e pakoordinuara me aleatët strategjikë Hashimi është bërë i rrezikshëm për Kosovën. Ai, siç e tha edhe vetë, për FSK-në ka folur vetëm me Vuçiqin”, u shpreh Selimi.
E për raportet me partnerët ndërkombëtarë të cilat së fundmi duket qartë se kanë ndryshuar, Selimi ia kujtoi presidentit Gjykatën Speciale dhe qëndrimin e tij ndaj ndërkombëtarëve për këtë.
Për këtë të fundit, sipas deputetit Selimi, i pari i vendit nuk ishte kaq rebel. “Thaçi nuk ishte kaq rebel ndaj ambasadës kur bëhej fjalë për Gjykatën Speckale. Për GJS thoshte se “nuk mund të refuzohet Amerika”, tha ndër tjerash Selimi.
Kujtojmë se përplasjet mes ndërkombëtareve dhe presidentit Thaçi për ushtrinë kanë filluar që kur presidenti mori iniciativën që ta formojë ushtrinë pa pëlqimin e Listës Serb.