Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj në një intervistë për Ekonomia Online ka folur lidhur me kërcënimet me atentate ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se të gjitha këto lajme e kanë origjinën në kuzhinat serbe për të mbajtur popullin në tension.
Tutje, ish-zëvendëskryeministri tha se për këtë çështje duhet të merren organet e drejtësisë, në mënyrë që të zbardhin rastin.
Deputeti Selmanaj tha se nëse kjo është krejtësisht fallco, atëherë duhet parë kush qëndron mbrapa kësaj situate.
“Këto janë çështje shumë të panjohura. Në 20 vjetët e fundit në Kosovë jo rrallë herë kemi dëgjuar lajme të tilla, atentate. Të gjitha këto e kanë origjinën diku në kuzhinat serbe për të tensionuar situata, skenën politike në Kosovë për të mbajt në tension gjithë popullin e Kosovës. Këto duhet t’i marrim me injorim maksimal si qytetar, por si organe të drejtësisë të bëjnë punën e tyre për të zbardhur deri në fund gjithçka sepse për interes të Kosovës janë dy çështje shumë me rëndësi”.
“Nëse ka organizim të tillë kush janë ata, dhe kush qëndron mbrapa saj. Dhe çështja tjetër që na intereson është edhe nëse kjo është krejtësisht fake, atëherë duhet parë kush është ai i cili po i lëshon këto mesazhe fallco. Unë mendoj që dikush qëndron mbrapa këtyre situatave me qëllim të tensionimit dhe rikthimit të temave sikur kemi problem me njëri-tjetrin”.
Kur foli për punën e Qevrisë, Selmanaj shtoi se nuk kanë problem me Albin Kurtin si person, por mënyrën si po qeverisë me vendin.
Sipas tij, Qeveria nuk po ka interes t’i takoj sindikatat dhe është barrikaduar, ndërsa fëmijët kanë mbetur pa shkollim.
Mes tjerash, deputeti i LDK-së, Selmanaj tha se kryeministri nuk ka problem vetëm me sindikata, por me gjithë sektorët tjerë duke mos përjashtuar edhe mediet, raporton EO.
“Ne nuk kemi problem me njëri-tjetrin. Ne kemi problem vetëm me logjikën qeverisëse. Nuk kem problem me Albin Kurtin si person. Ne kemi problem se si qeveris me vendin”.
“Kam përshtypjen që qeveria s’po ka interes për zgjidhje. Problemet më të mëdha dhe më komplekse ndërkohë kjo qeveri nuk tregon as kujdesin minimal që ti takojë mbi baza ditore e që do të duhej të takoheshin të bisedonin në mënyrë që kjo çështje të mbyllet shpejt. Por qeveria është barrikaduar në një anë dhe sindikatat ne anën tjetër dhe fëmijët kane mbetur pa shkollim. Kjo qasje është krejtësisht e papranueshme dhe mendoj që problemi themelor është tek qeveria. Adresa e vetme që duhet të zgjidh problemet në Kosovë dhe jo vetëm për grevat por për çdo situatë qeveria është adresa që duhet të gjejë zgjidhje”.
“Kam përshtypjen që ky kryeministër nuk i kupton si duhet përgjegjësitë kushtetuese që i ka. Problemi ekziston fëmijët nuk po shkojnë në shkollë, mësuesit po bëjnë grevë. Nuk është puna e një Rrahman Jasharaj se çfarë flet. Rrahman Jasharaj flet në emër të qindra mësuesve dhe nxënësve. Ai flet për anëtarësinë. Kështu punohet në sindikata. Ky kryeministër nuk ka telashe vetëm me mësimdhënës por edhe me veteranë. Ka problem me sektorin publik, të shëndetësisë me medien. Ky është i pazotë për tu marrë me telashet e këtij vendi”, tha Selmanaj.