Deputeti i zgjedhur nga radhët e AAK-së, Rasim Selmanaj ka thënë se koalicioni PAN i ka votat për formimin e Qeverisë dhe se seanca konstituive do të mbahet javën e ardhshme.
Ai ka thënë se votat i kanë nga deputetët e zgjedhur, pa cekur ndonjë emër, raporton Ekonomia Online.
“Ne i kemi numrat e deputetëve të zgjedhur. Do ta shihni në seancën konstituive dhe në momentin kur formohet qeveria. Këta deputetë do të jenë deputetët të zgjedhur të Parlamentit të Kosovës, që e kanë marrë mandatin dhe janë të lirë të vendosin për mandatarin. Nuk po e shoh të arsyeshme të flas për numrat se do t`i shihni në seancën kur edhe realisht do të formohet qeveria” tha Selmanaj.
Selmanaj po ashtu ka thënë se Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit dhe se asaj do t’i takojnë postet e garantuara me ligj. Sipas tij kjo listë nuk ka vënë kushte.
“Në këtë koalicion do të jenë edhe Lista serbe dhe komunitete e tjera. Por do të jetë një qeveri e formuar me numrat e nevojshëm. Lista serbe nuk ka kushte për koalicion. Natyrisht që pakicave dhe komuniteteve të tjera iu takojnë ato që i kanë të garantuara edhe me kushtetutë” shtoi më tutje ai.
Megjithatë ai nuk ka dhënë ndonjë datë për mbajtjen e seancës, përveç që ka thënë se ajo do të mbahet javën e ardhshme.