Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Driton Selmanaj, priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin diskutoi për zhvillimet politike në vend dhe bashkëpunimin midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe, me theks të veçantë në procesin e rekrutimit të bordeve të ndërmarrjeve publike.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Selmanaj informoi Ambasadorin Abbott për prioritetet e kabinetit të tij dhe angazhimin e tij në reformat në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, si dhe procesin e integrimit evropian.
Gjatë këtij takimi, Zëvendëskryeministri Selmanaj falënderoi ambasadorin Abbott për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe ndaj Republikës së Kosovës ndër vite, duke potencuar edhe ndihmat e fundit që ka bërë Britania e Madhe në përpjekjet për luftimin e pandemisë Covid-19.
Zëvendëskryeministri Selmanaj dhe Ambasadori Abbott u pajtuan për të thelluar dhe më tutje partneritetin dhe bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe.