Senati i Universitetit të Prishtinës e ka avancuar në pozitën e profesorit-asistent një kandidat që dyshohet se kur ishte pranuar për herë të parë si asistent, në vitin 2004, falsifikoi vitin e lindjes për ta plotësuar kriterin e moshës.
Kandidati Hamit Ismaili, i cili këtë javë mori përkrahjen e Senatit për t’u zgjedhur nga asistenti në profesor-asistent, sipas biografisë së tij që gjendet në faqen e Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore (FSHMN), në certifikatën e lindjes dhe në buletinin e fundit të fakultetit figuron si i lindur në vitin 1973, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por në buletinin e FSHMN-së të vitit 2004, kur për herë të parë ishte pranuar si asistent, atij i shkruan viti i lindjes 1976. Ndërsa në certifikatën e Gjykatës Komunale në Vushtrri shkruan se ka lindur në vitin 1977.
Kur Ismaili ishte pranuar si asistent në vitin 2004, Statuti i atëhershëm i UP-së parashihte që një kandidat i cili zgjidhet për herë të parë si staf akademik nuk mund të jetë në moshë më të vjetër se 30 vjeç. Ismaili atëkohë ishte 31 vjeç dhe e tejkalonte kriterin e moshës…