Senati i Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur mbledhjen solemne të Senatit për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Rektorit i UP-së, Marjan Dema, tha se Skënderbeu ishte një strateg që ndryshoi historinë e popullit shqiptar.
Dema bëri thirrje që fryma kastriotjane të frymojë edhe në ditët tona në mënyrë që Kosova të jetë më mirë e kështu sipas tij, më mirë do të jetë edhe UP.
”Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte figurë e rrallë, i cili me lidershipin e tij arriti që të gjitha fiset shqiptare t’i bashkojë në rrugëtimin për çlirimin e vendit nga sundimi otoman. I shquar i elitës shqiptare, i cili veproi me frymën që as individi, as fisi e as krahina nuk mundën me qenë mirë pa qenë mirë Shqipëria”, tha Dema.
Për veprën dhe epokën e Skënderbeut foli edhe studiuesi Muhamet Mala i cili tha se ai nuk ishte vetëm një luftëtar por edhe një diplomat i shquar që ndikoi shumë në krijimin e shtetit shqiptar.
“Përmes emrit të tij shqiptarët në sytë e popujëve të Evropës fituan namin dhe madhështinë që nuk e patën asnjëherë më parë, duke u ngritur në mbrojtjen të vendit të tyre por edhe të qytetrimit evropian“, tha Mala.