Sensacioni japonez e sheh Majlindën si pengesë për të dominuar

Prishtinë | 13 Gus 2019 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Japonezja Uta Abe është bartësja e dytë. Majlinda Kelmendi është “vetëm” bartësja e gjashtë në kategorinë deri 52 kilogramë në kampionatin botëror të xhudos që mbahet më vonë këtë muaj.

Por një përballje eventuale mes Kelmendit e Abes parashikohet të jetë prej momenteve kulmore në botërorin që mbahet në arenën ikonike të sportit të xhudos, “Nippon Budokan” në Tokio të Japonisë.

Majlinda e Abe, së bashku me Ai Shishime (Japoni), Amandine Buchard (Francë) e rusen Natalia Kuziutina pritet të luftojnë për medalje të artë në botërorin që i paraprinë Lojërave Olimpike që vitin tjetër mbahen po në Tokio të Japonisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Botërori vlerësohet me peshë shumë të madhe e po ashtu vjen në një moment të rëndësishëm në karrierën e Majlindës dhe Uta Abes.

Në të vërtetë ndonëse e gjashta prej bartëseve, Majlinda llogaritet rreziku më i madh për xhudistet vendase të Japonisë, sa i takon kategorisë deri 52 kilogramë. Japonia është e përkushtuar për të fituar sa më shumë medalje, ndërsa fokusin e ka për të dominuar garën e xhudos në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm.

Se Majlinda është rreziku më i madh për Aben e Shishimen dihet kaherë. Madje Abe, si asnjëherë më parë nga kampi japonez, ka folur së fundi për Majlindën. Ka shprehur respekt, por edhe synim për të dominuar ndaj saj. Majlinda e Abe nuk janë takuar në luftëra deri më tash. Por në kampe kanë qenë jo rrallë së bashku dhe e njohin mirë njëra-tjetrën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme