146 serbë të komunës së Skenderajt, disa nga të cilët ka mbi 60 vjet që kanë lënë fshatrat e tyre në këtë komunë dhe tani jetojnë në pjesë të ndryshme të Serbisë dhe në veri të Mitrovicës, në marsin e vitit 2010 kanë ushtruar padi në Gjykatën Komunale në Skenderaj ndaj komunës së Skenderajt, UNMIK-ut dhe KFOR-it, për dëmet në pasurinë e tyre. Ata duan 500 milionë euro kompensim të pronës së tyre nga shqiptarët.
146 serbë të komunës së Skenderajt, të cilët tani jetojnë në pjesë të ndryshme të Serbisë, kanë paditur komunën e Skenderajt, UNMIK-un dhe KFOR-in për dëmet në pronën e tyre, të shkaktuara gjatë vitit 1999, duke kërkuar mbi 500 milionë euro kompensim. Edhe Manastiri i Deviçit ka kërkuar mbi 1 milion euro kompensim nga djegia e tij në trazirat e marsit të vitit 2004.
Padinë e tyre serbët e kanë dorëzuar në Gjykatën e Apelit në Mitrovicë. Këtë e ka konfirmuar Hajrullah Aruçi, përgjegjës i degës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Skenderaj. Ai ka shtuar se të gjitha lëndët e serbëve të kësaj komune, pasi që paraprakisht ishin trajtuar në Gjykatën Komunale në Skenderaj, tani dega e Gjykatës Themelore e Mitrovicës në Skenderaj, i janë dorëzuar shkallës së dytë, e cila, siç thotë ai, gjithashtu i ka refuzuar.
“Ato padi të serbëve janë dorëzuar në Gjykatën e Apelit, pasi që paraprakisht janë trajtuar në degën e Gjykatës Themelore në Skenderaj. Edhe Apeli i ka refuzuar paditë e serbëve”, ka thënë Aruçi për “Zërin”, të premten.