Serbët nga veriu i Kosovës caktojnë protestë: “Jemi peng i politikës së Vuçiqit”

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e tretë të Krishtlindjes, pra më 9 janar, në pjesën veriore të Mitrovicës, është caktuar protesta e serbëve të pakënaqur me politikën kosovare të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërkaq organizatori i saj, Ivan Miletiq, i tha gazetës Danas se serbët nga Kosova janë “peng”, transmeton Klan Kosova.

Protesta është caktuar për në ora 12:00 te monumenti i Car Llazarit në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës.

I pyetur se kush është organizatori i protestës, Miletiq është përgjigjur – “populli i pakënaqur nga veriu i Kosovës”.

Ai thotë se qytetarët e panë me heqjen e barrikadave se në cilin drejtim po shkon situata dhe se janë pajtuar që nuk do të pranojnë “as lojërat e Kurtit e as të Vuçiqit”.

Ai thekson se nuk u janë bashkuar organizatat formale dhe se nuk e dinë se sa njerëz do të vijnë duke pasur parasysh, siç thotë ai, frikën që ekziston te qytetarët.

Nebojsha Joviq, komisioneri i Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, i ka ftuar qytetarët në të njëjtën protestë në kanalin YouTube SRBIN.info.

– Paraprakisht kemi tentuar të organizojmë disa protesta për të mirën e qytetarëve, por ka rezultuar e pasuksesshme sepse njerëzit janë ftuar në momentin e fundit që të mos vijnë sepse protestat nuk kanë pasur mbështetjen e pushtetit. Por ne shpresojmë që populli të çlirohet pas kësaj situate të fundit në të cilën të gjithë ne kemi qenë të manipuluar, thotë Miletiq.

Bashkëbiseduesi i Danar.rs thotë se qytetarët edhe pse paraprakisht dyshonin në “qëllimet e sinqerta të Vuçiqit dhe të një pjese të Listës Serbe”, për herë të parë besuan se do të kishte “rezistencë të përbashkët” dhe se “Vuçiqi nuk do t’i shiste te Kurti”.

Ai saktëson se në Listën Serbe, siç beson ai, ka një numër të madh të njerëzve që nuk mund të ndryshojnë asgjë, por janë pjesë e kësaj partie.

“Kishte unitet të madh. Edhe unë që nuk i besova kurrë Vuçiqit, kësaj radhe besova se ai do të dilte vërtet sipas parullës ‘Kthim nuk ka’. Ne prisnim që ai të qëndronte në anën e popullit, pra popullit që jeton në gjithë Kosovën. Tani situata ishte me veriun, por të gjithë njerëzit duan të jetojnë të sigurt. Ne besuam se Vuçiq mund të çonte në një jetë më të sigurt përmes negociatave, por me çdo negociatë dhe tension të keq, ne jetojmë gjithnjë e më keq. Nuk e di pse ka marrëveshje dhe negociata nëse nuk fitohet asgjë dhe vetëm shqiptarët fitojnë nga këto negociata – atyre iu dha gjithçka që ishte e mundur”, thotë Miletiq.

Ky banor i Mitrovicës, i cili thekson se asnjëherë nuk ka qenë anëtar i asnjë organizate, thotë se në takimin në Rashkë të serbëve nga veriu Kosovës me presidentin Vuçiq javën e kaluar pas paralajmërimit për heqjen e barrikadave, ai thotë se Vuçiq është i vetmi “fajtor de facto”.

“Ne jemi peng të politikës së Vuçiqit. Nga disa burime kam dëgjuar se në atë takim ka pasur pakënaqësi të madhe, se të gjithë “u thyen” pas kësaj. Populli është mjaft i zhgënjyer për shkak të fjalimit të Vuçiqit drejtuar policit të nderuar Filipoviq. Dhe ai ia tregoi vetëm problemet tona që do të lindin pas heqjes së barrikadave si formë rezistence, gjë që besuam se është kështu”, shtoi Miletiq.

Ai shprehet se asnjë veturë e forcave speciale të Kosovës nuk është larguar nga veriu i Kosovës, që ishte një nga kërkesat për heqjen e barrikadave.

– Në takim u tha edhe nga brenda se nuk do të ketë asnjë provokim të shqiptarëve. Por as kjo nuk është e vërtetë, sepse provokimet vazhduan, vlerëson Miletiq.

Provokimet, beson ai, janë edhe ardhja e siç thekson ai, të ashtuquajturës presidentes kosovare Vjosa Osmani dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për të festuar Vitin e Ri në Jarinje me anëtarë të Policisë së Kosovës.

Duke folur për kërkesat e protestës, Miletiq thotë se ata po kërkojnë që zgjidhjet dhe vendimet të mos u imponohen sepse, sipas tyre, serbët vendas e dinë më së miri se çfarë është e mirë për jetën e tyre.

“Ne duam të vendosim vetë se çfarë është më e mira për ne dhe fëmijët tanë. Dhe askush nuk do të heqë dorë nga Serbia, është i vetmi vend me të cilin jemi të lidhur. Kosova është ende Serbi”, deklaron ai. /Danas.rs

Të ngjashme