Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi ka thënë se protesta e mbajtur sot në hyrje të fshatit Hoçë e Madhe, nuk ka qenë e sponsorizuar nga komuna.
Ai ka thënë se aty sot ka qenë një grup qytetarësh që ka shprehur mllefin e tyre.
“Nga nesër fillojnë përkujtimet për të masakruarit në komunën e Rahovecit, prandaj edhe ka ardhur kjo protestë”, ka thënë Vehapi në “Ora e Fundit”.
“Qytetarët kur besojnë se kanë të drejt vendosin, dhe ata e dinë a kanë pasur të drejt ose jo”, ka shtuar ai më tej.
Vehapi ka thënë se politikanëve nga Kosova nuk u lejohet të shkojnë as në Serbi as Shqipëri as Maqedoni për të bërë fushatë, andaj nuk duhet tu lejohet as politikanëve serbë të Serbisë.
“Nëse dikush ka dyshtetësi atëherë janë metodat tjera të votimit. Ata nuk kanë pasur të drejt të vijnë këtu të bëjnë fushatë”.
“Tubimet duhet të lajmërohen te organet e drejtësisë, nëse nuk janë lajmëruar për tubim, atëherë planifikimi për fushatë ka qenë ilegal”, ka shtuar Vehapi.
Ai ka pohuar se toleranca ndëretnike është mjaftë e mirë edhe pse dihet çka ka ndodhur në Rahovec deri në vitin 1999.
“Janë marrëdhënie normale”.
Kurse për qytetarët e sotëm që bllokuan rrugën ka thënë se janë treguar të pjekur kur kanë vendosur që t’i lejojnë banorët të kalojnë, dhe jo ata që kanë shkuar për fushatë.