Përfaqësues të subjektit politik joparlamentar “Demokracia Serbe” janë përplasur verbalisht me zëvendëskomandantin e policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në fillim të debatit për hapjen e Urës së Ibrit, organizuar nga Komuna e Mitrovicës Veriore.
Para fillimit të këtij debati të njoftuar dje nga kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të subjektit politik “Demokracia Serbe”, kanë protestuar brenda objektit të Kuvendit Komunal, pasi sipas tyre, aktivistë të tyre sot janë shoqëruar në polici.
Kjo për faktin se siç thanë ata, flamuri i Serbisë është ngjyrosur sot në sheshin ku është mbajtur protesta dje.
Policia e Kosovës ka bërë ditur se sot rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe ata kishin filluar të pengojnë punëtorët të cilët janë të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada” etj. të cilat ishin në shesh afër urës.
Sipas njoftimit të Policisë, personat janë paralajmëruar disa herë që të mos pengonin punën dhe të largoheshin, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar me provokime dhe pengim të punimeve.
“Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona. Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”.