Mijëra serbë kanë protestuar të shtunën kundër presidentit të tyre Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij Progresive në Beograd.
Protestuesit kanë kërkuar liri të mediave dhe kanë kërkuar fundin e sulmeve ndaj gazetarëve si dhe opozitarëve, gjatë protestave që po shënojnë javën e katërt.
Ata mbanin banerët me thirrjet “Nuk do të mbyll gojën”, “Pse po luftojmë me të gjitha shtetet fqinje”.
Më 29 dhjetor, në një intervistë në mediat vendore, Vuçiqi tha se është i gatshëm të diskutojë kërkesat e opozitës.
“Jam i gatshëm të shikoj se çfarë po shkakton pakënaqësi tek njerëzit”, shtoi ai.
Demonstratat ishin nxitur muajin e kaluar kur një grup personash kanë rrahur liderin opozitar, Borko Stefanoviq në fund të nëntorit në qytetin Krushevc. Aktorët e dhunës u kapën, por tashmë janë liruar.
Protestat kanë filluar me 8 dhjetor. Të mbështetura nga një spektër i gjerë opozitar, të krahut të djathtë por edhe të majtë politik, mijëra demonstrues parakaluan disa herë rrugëve të Beogradit me kërkesën “Stop këmishave të përgjakura”.
Gjithnjë e më shumë serbë po mblidhen në frontin politik kundër dhunës dhe ofendimeve të opozitës nga ana e pushtetit, i cili po përpiqet të mbajë nën kontroll të plotë edhe mediat. E gjitha kjo ka elektrizuar atmosferën në vend.
Prej demonstratave të para me 8 dhjetor, çdo të shtunë në rrugët e Beogradit po mblidhen me mijëra njerëz. Forcimi i protestave i ka befasuar përfaqësuesit e qeverisë, të cilët kontrollojnë dy të tretat e deputetëve në parlament, por edhe opozitën e dobët dhe të përçarë.
Fytyrat kryesore të protestës janë aktore Branislav Trifunoviq dhe studiuesja e politikës Jelena Anasonoviq. Vuçiq dhe ministri i Brendshëm po përpiqen ndërkohë të ulin numrin e pjesëmarrësve në protesta, përmes mediave të kontrolluara.
Organizatorët thonë se të shtunën e fundit kanë protestuar mbi 40.000 njerëz. Ndërsa presidenti Vuçiq foli për 5000. Por forcimi i protestave e ka detyruar presidentin ta ndryshojë taktikën.
Ai fajësoi opozitën për fshehje pas demonstruesve, duke thënë “sikur edhe pesë milionë të dalin në rrugë, unë nuk do t’i plotësoja kërkesat e tyre”.