Ministria për Punë të Jashtme e Hungarisë ka konfirmuar se është arrestuar një i dyshuar serb për vrasjen e 33 civilëve shqiptarë në rastin Kristal në vitin 1999 në Pejë.
Sipas portalit në gjuhën serbe Kosovo Online, serbi i dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës, ka refuzuar ekstradimin në Kosovë, ndaj të cilit Kosova ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.
“Serbi nuk është pajtuar me ekstradimin”, ka sqaruar ministria hungareze.
Ministria e jashtme ka sqaruar se Gjykata komunale në Budapest do t’i kontaktojë autoritetet e drejtësisë në Kosovë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Hungarisë.
Siç ka mësuar Kosovo Online, 48-vjeçari i dyshuar me inicialet S.S, është arrestuar më 15 tetor në Budapest me kërkesën e autoriteteve të drejtësisë së Kosovës.
Sipas raportimit, autoritetet hungareze kanë kërkuan nga autoritetet në Prishtinë që të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me rastin deri më 26 nëntor 2022, si dhe të jepet një garancion që personi në fjalë nuk do të ndiqet për të tjera vepra – përvec atyre që përshkruhen në udhërarrestin ndërkombëtar.
Sot gjatë ditës, edhe Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e një serbi të dyshuar për krime lufte me inicialet S.S.
Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimit për shkak se ai dyshohet se gjatë periudhës kohorë 26 mars deri 28 maj të vitit 1999 ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës.
Dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, ku janë vrarë 33 persona në atë periudhë kohore.
“Prishtinë, 18 tetor 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se në Budapest të Hungarisë, sipas Urdhër arrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S., i nacionalitetit serb. Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.