Prona e Zoran Miliqit nga fshati Prilluzhë vazhdon të mbetet nën ujë, edhe disa ditë pas vërshimeve që përfshinë një pjesë të Kosovës. Oborri dhe shtëpitë e tij janë ende të përmbytura.
Që nga dita e parë e vërshimeve, Miliq thotë se askush nuk ka shkelur në derën e tij për ta pyetur për gjendjen apo për t’i ofruar ndihmë. Ai rrëfen se është lënë në harresë pikërisht nga ata që, sipas deklarimeve publike, pretendojnë se janë gjithmonë pranë komunitetit serb në Kosovë.
“Po rrimë, po e përballojmë vetë dhe po i lutemi Zotit. Askush nuk na sjell as ujë të pijshëm, jemi të detyruar ta blejmë vetë”, thotë Miliq, duke përshkruar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet.
Ai shpreh zhgënjim të thellë ndaj strukturave paralele serbe, të cilat shpesh promovohen në media si mbështetëse të palëkundura të serbëve në Kosovë dhe përmenden vazhdimisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas Miliqit, këto struktura ekzistojnë vetëm në deklarata, ndërsa në terren mungojnë plotësisht.
“Kanë pesë net që nuk kam bërë gjumë. Më e rënda është se askush nuk vjen as të të pyesë si je. Kalojnë me makinë, i bien borisë dhe të përshëndesin me dorë. Kaq”, thotë ai me ironi dhe mllef.
Ai përmend edhe organizata që pretendojnë se ofrojnë ndihmë humanitare, përfshirë strukturat ilegale të Kryqit të Kuq serb, sipas tij, nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret për t’i ndihmuar qytetarët serbë në nevojë. “I kemi të gjitha këtu, Kryqin e Kuq dhe gjithçka tjetër, por askush nuk bën asgjë”, shprehet i zhgënjyer ky serb.