Serbia është ekipi më së ulëti i ranguar në Grupin E, por është në “pole-position” pas xhiros së parë, falë fitores 1:0 ndaj Kosta-Rikës. Ndërkohë Zvicra mori barazim të pëlqyer, 1:1 ndaj Brazilit, favoritit të botërorit.
Brazilianët ishin të frustruar nga qasja fizike e Zvicrës dhe kanë bërë një ankesë për golin e Steven Zuberit, pasi ai është dukur të ketë shtyrë Mirandan para se të godiste topin me kokë, transmeton Koha Ditore.
“Ndonjëherë ka mungesë të mirënjohjes dhe kjo është për të ardhur keq pasi kemi luajtur shumë mirë”, ka thënë përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq pas asaj ndeshjeje me Brazilin. “Shpresoj se njerëzit do të mbajnë shënim për ne dhe do të na marrin seriozisht”.
Një ekip që përfundimisht ka marrë shënime është ai i Serbisë.
“I dimë të gjitha për Zvicrën”, ka thënë përzgjedhësi i Serbisë, Mladen Krstajiq pas ndeshjes së parë, që ishte e para garuese për të në krye të Serbisë. Nëse Krstajiq ia del t’ia sigurojë Serbisë edhe fitoren e dytë, atëherë ajo do të arrijë në fazën nokaut për herë të parë si shtet i vetëm.