Të premten mbrëma, Qeveria e Kosovës u gjet nën kritika për mungesë testesh pasi furnizimi me to kishte dështuar. Në këtë situatë kur Kosova kishte kapacitete për testime vetëm edhe për 3-4 ditë, në ndihmë erdhi Serbia e cila i dërgoi Kosovës 1 mijë teste.
Lajmi për arritjen e 1000 testeve në Kosovë nga Serbia, pas një viti shumë të tensionuar mes dy shteteve, është bërë lajm në shumë media prestigjioze të huaja.
Agjencia britanike e lajmeve Reuters shkruan se ky gjest u bë në formë solidariteti përkundër fërkimeve tregtare e historisë mes dyja vendeve.
Kështu citohet të ketë thënë një zyrtar serb, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.
Ai thotë se Beogradi shpërndau kutitë pa asnjë kusht politik por me “vetëm dëshirën për të ndihmuar në tejkalimin e pandemisë”. “Koronavirusi është një kujtesë e ashpër se ne mund të zgjidhim shumë probleme vetëm nëse bashkëpunojmë së bashku”, citohet të ketë thënë ai për Reuters.
Lajmi është shpërndarë edhe në New York Times dhe shumë media të tjera. “Serbia i dërgon Kosovës 1000 teste për koronavirus në formë solidariteti” është titull që shoqërohet në çdo medium të publikuar.
Kujtojmë se mbrëmë Kryeministri Kurti e quajti këtë gjest të vullnetit të mirë, derisa nuk kishte njohuri nëse ato kishin ardhur për Kosovën apo siç e quajnë serbët “Kosova i Metohija”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po ashtu tha se Qeveria e Serbisë testet i ka dërguar si shenjë falënderimi për kujdesin që po ia bënë Kosova qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë.
Kujtojmë se ka gati dy vite që dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar e kjo pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe nga Qeveria e udhëhequr atë kohë nga Ramush Haradinaj si kundërpërgjigje ndaj fushatës së vazhdueshme të Serbisë kundër Kosovës.
Që atëherë fushata e Serbisë ndaj Kosovës është bërë akoma më agresive duke ndikuar edhe në tërheqjen e disa njohjeve./InLajmi/