Drejtori i Policisë së Serbisë Vladimir Rebiq ka theksuar se beson shumë se Serbia do t’i zbulojë vrasësit e Oliver Ivanvoqit dhe urdhërdhënësit e kësaj vrasjeje, transmeton Koha.net.
“Besoj në Policinë serbe dhe në BIA (Agjencia informative e sigurimit) se falë resurseve materiale e njerëzore se do të mund ta gjejmë vrasësin dhe urdhrin për vrasje”, ka thënë Rebiq për televizionin publik serb.
Ai ka konfirmuar pronari i automobilit të djegur në Mitrovicë që u gjet pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është serb nga Austria që ka vdekur kaherë.
“Ato informata janë të sakta, i kemi marrë nga Policia e Austrisë. Ajo veturë është shitur disa herë dhe ne po përpiqemi të dimë cili ka qenë blerësi i fundit”, ka thënë Rebiq.
Sipas fjalëve të tij, organet serbe kanë njohuri të caktuara që dëshmojnë për atentatorët e mundshëm të Oliver Ivanoviqit.
“Këto gjurmë shpien tek automjeti që u përdor për kryerjen e veprës penale. Kemi informata për pronarin e atij automjeti dhe po përpiqemi të gjemë edhe shënime të tjera. Që të mos i dëmtoj hetimet, nuk do të jepja më detaje”, ka thënë Rebiq.
Ai ka shtuar se Serbia disa herë i është drejtuar EULEX-it dhe UNMIK-ut me kërkesën që organet serbe të përfshihen në zhvillimin hetimeve porse ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Jam dëgjuar disa herë me shefen e EULEX-it, kam apeluar tek ajo dhe e kam lutur të na japin disa detaje për t’i verifikuar ato në Serbi si dhe e kam përsëritur kërkesën që bashkë me Policinë e Kosovës të marrim pjesë në procesin para hetues dhe hetues”, ka thënë Rebiq duke besuar se EULEX e UNMIK do të përgjigjen në kërkesat Serbisë.