Kryeministrja, Ana Bernabiq, dhe zëvendëskryeministri i Serbisë Ivica Daçiq, mbrëmë janë takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, raportojnë mediat serbe.
Ato në plan të parë të raporteve të tyre citojnë sekretarin e OKB-së, Guterres, të ketë thënë se “për Kombet e Bashkuara, Kosova nuk është shtet”, porse do të mbështesë marrëveshjen midis Beogradit e Prishtinës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Është në interesin e Serbisë që UNMIK-u të mbetet në Kosovë në numër të pandryshuar dhe me mandat të njëjtë, ashtu siç kam thënë edhe në mbledhjen e “Aksionit për paqe”, ka thënë kryeministrja serbe, Bernabiq.
“Misioni i UNMIK-ut mbetet në Kosovë”, u ka thënë Guterres zyrtarëve të Beogradit, sipas medieve serbe.
Siç është shprehur Bernabiq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i prin delegacionit të Serbisë në dialogun Beograd-Prishtinë, ndrësa mnistri i Jashtëm Daçiq ia përcjell botës ato që bën Serbia.
“Jemi të përkushtuar për gjetjen e zgjidhjes dhe nuk duam konflikt të ngrirë”, citojnë mediat deklaratën e kryeministres Bernabiq.
Sekretarit të OKB-së, Antonio Guterres i është përsëritur ftesa qç të vizitojë Serbinë.
Misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka funksione dhe përbërje simbolike.