Në veri të Mitrovicës, Serbia ka hapur 58 shtëpi të reja, e për Glauk Konjufcën , kjo datë nuk është e rastësishme.
Ai ka thënë se në ditën e të pagjeturve me hapjen e këtyre shtëpive, Serbia po tregon që nuk asnjë keqardhje për atë çfarë ka bërë në Kosovë.
Madje, ai e quan këtë kolonizim tipik.
Postimi i plotë i Konjufcës.
Përcaktimin e vërtetë të shtetit serb ndaj shqiptarëve dhe Kosovës e tregon më së miri ngjarja e sotme në pjesën e veriut të shtetit tonë.
Pikërisht sot, pra në ditën e të pagjeturve, Serbia i hapi 58 shtëpi të reja në pjesën e veriut të Kosovës.
Nuk është e rastësishme as data që e ka zgjedhur Serbia. Përmes kësaj tregon që nuk ka asnjë keqardhje a pendesë për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë. Përkundrazi: jo vetëm që e mban të burgosur të vërtetën për të rrëmbyerit, por e vazhdon para hundës së qeverisë tonë kolonizimin e Kosovës.
Ky është kolonizim tipik. 58 shtëpi të koncentruara, në një lagje te vetme, në pjesën më strategjike të pjesës së veriut. Shtëpi të ndërtuara nga qeveria e Vuçiqit aty ku më parë kurrë nuk kishte asnjë shtëpi.
Në anën tjetër delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë në Bruksel pranon tema të tilla siç ishte kthimi i serbëve që e kanë lëshuar Kosovën që prej vitit 1976. Në momentin që pranohet për dialog një temë e tillë, automatikisht legjitimohet teza e Akademisë Serbe se shqiptarët paskan ushtruar presion dhe apartheid ndaj serbëve të Kosovës. Përmes këtyre konstrukteve shoveniste Serbia synon ta mbulojë gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve.
Asnjë reagim nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Kur ta merr vesh kryeministri Hoti këtë veprim nga mediat, me siguri del edhe e dënon ‘ashpër’. E kjo është dukshëm më pak se që bën një OJQ aktive për këtë çështje.