Deklaratat e ish-shefit të BIA-s dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste, Aleksandër Vulin, janë kërcënim dhe alarm për sigurinë e Kosovës.
Thirrjet që Serbia të veprojë sipas modelit të operacioneve të Mossad-it në Iran, duke targetuar politikanë e udhëheqës institucionalë, është retorikë e rrezikshme që synon frikën, mobilizimin dhe nxitjen e dhunës ndëretnike në Kosovë.
Kjo është strategjia e destabilizimit, prandaj Instituti “Octopus” ka vlerësuar domosdoshmërinë e reagimit me masa konkrete nga SHBA dhe BE.
Gjuha e ish shefit të BIA-s, i cili ka qenë po ashtu shef i ushtrisë e i policisë serbe, nuk guxon të relativizohet si një provokim i zakonshëm. Kur një figurë e tillë në Serbi flet për plane kundër zyrtarëve të Kosovës, jo vetëm që shpërfaq qasjen e mëtejme shoviniste, por është gjithashtu paralajmërim për skenarë dhune.
Ky është diskurs i hapur kërcënues që minon stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Duke deklaruar se Serbia “e di si bëhen këto gjëra”, e vërteton implikimin e Beogradit në veprimet e kaluara, si në rastin e Banjskës (2023) dhe kanalit të Ibër Lepencit (2024).
Thirrjet e tij janë po ashtu sinjal i rrezikshëm që normalizon operacionet subversive e të dhunës politike si instrument shtetërore.
Ky diskurs, në kohën kur vëmendja ndërkombëtare është në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, është test për reagimin institucional të Kosovës dhe të faktorit ndërkombëtar.
Gjuha e Vulin ndaj Kosovës nuk është vetëm e Serbisë, por edhe e Rusisë, sepse dihen botërisht lidhjet e tij me shërbimin rus dhe qarqet e ngushta të Putinit.