Serbia kërkon zgjerimin e territorit të Mitrovicës së Veriut si parakusht për hapjen e urës

Prishtinë | 17 Sht 2024 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka insistuar në demarkimin e kufijve kadastral si parakusht për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Petkoviq pas takimit në Bruksel ka insistuar në demarkimin në zonën e Suhodollit.

“Ne kërkojmë respektimin e marrëveshjes, ku insistojmë demarkimin në zonën e Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, tha Petkoviq nga Brukseli , transmeton “Kossev”.

Të martën është mbajtur raundi i radhës i dialogut Kosovë – Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.
Petkoviq ka akuzuar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk ka dashur të ketë takim trepalësh. Ngjashëm Bislimi e ka akuzuar Petkoviqin se nuk deshi takim trepalësh.

“Ai ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Beogradit, sepse ne kemi insistuar në tema si AKS-ja, shërbime postare dhe çështjet e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Paramendoni kur ai nuk do të flasë për këto gjëra të rëndësishme”, tha Petkoviq.

Petkoviq e Bislimi patën takime dypalëshe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Petkoviq tha se ia ka prezantuar Lajçakut masat e paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Këto janë masa mbrojtëse gjithëpërfshirëse për popullin serb në Kosovë dhe masa për të ringjallur procesin e dialogut që na duhet dëshpërimisht. Vetëm përmes dialogut mund të gjejmë një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

Ai po ashtu tha se ia ka dorëzuar Lajçakut “listën e të gjithë serbëve të arrestuar, të burgosurve politikë”.

“Edhe pse kemi pasur garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja se askush që ka qenë në barrikada nuk do të arrestohet, ka ndodhur e kundërta”, tha Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se sot do të ketë edhe një takim me përfaqësuesit e NATO-s lidhur me urën mbi lumin Ibër.

“Do të flasim për temën e urës, por nga prizmi i sigurisë, sidomos për të vënë në dukje, në një prezantim të veçantë, të gjitha rreziqet që ekzistojnë nëse Kurti fillon ta hapë urën në mënyrë të njëanshme. Kjo është e pamundur, sepse NATO është e pranishme në atë urë dhe prandaj është e rëndësishme të bisedohet me ta”, tha Petkoviq.

Të ngjashme