Serbia kundër paqes, Escobarit s’i iku mesazhi i Vuçiqit se po e presin momentin për Kosovën

Prishtinë | 19 Mar 2024 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Aleksandar Vuçiq e kërcënoi Kosovën me luftë. Tha se në Beograd po e presin momentin. Kjo deklaratë s’i iku të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili evidentoi se Serbia s’po punon për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Iu përgjigj nga Podgorica.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të dielën kërcënoi me luftë, në praninë e disa fëmijëve serbë nga Kosova të cilët kishin shkuar për vizitë në Beograd.

Në një ceremoni në të cilën u kujtuan trazirat e marsit të vitit 2004 në Kosovë, Vuçiq foli ashpër kundër Perëndimit, duke kërkuar në njëfarë mënyre që ata të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë. Tha se në Beograd po e presin momentin për të luftuar.

“Nuk është problem, doni të jeni me ata, nuk do të na keni neve, doni të jeni me ta dhe t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë, por jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të mençur e trima dhe mjaft shumë kemi mësuar dhe shumë përvoja kemi fituar pas gjithë atyre që na keni bërë në 25 vitet e fundit, për ta pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe të luftojmë për rastin tonë”, tha ai.

“Nuk kemi pse t’ia fshehim askujt. Do të jemi gjithmonë të hapur për partneritet, bisedime, dialog, por duhet ta kuptoni mirë – i keni bërë shumë të këqija popullit serb të gjithë së bashku”, tha Vuçiq.

Ai e përmendi Banjskën, fshatin në Zveçan të Kosovës ku më 24 shtator të vitit të kaluar një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Vuçiq e konsideroi heroik vendin e sulmit, autorët e të cilit ndërkombëtarët presin që Serbia t’i vë para përgjegjësisë.

“Banjska ndodhi sepse po i vrisnin njerëzit tanë në Kosovë”, tha presidenti serb.

Afër Serbisë, në Malin e Zi qëndroi të hënën i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ndërsa e lavdëroi kontributin e Podgoricës për paqen, diplomati amerikan përmendi se Beogradi s’po punon për këtë.

“Në këtë periudhë kur tri shtete fqinje po na ndihmojnë për ta ruajtur stabilitetin, ka një që nuk po punon për këtë por po dërgon mesazhe për Kosovën”, tha ai.

Escobar foli edhe për ndikimin malinj të Rusisë në Ballkan, pas takimit që pati me presidentin malazez, Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.

“Ndikimi malinj rus në rajon është shumë serioz. Pas pushtimit të Ukrainës, u bë e qartë se sa e rëndësishme është NATO-ja. Mali i Zi kontribuon si një partner i mirë, prandaj mund të pritet që të bëhet anëtari i ri i BE-së”, tha ai.

Të ngjashme