Në Serbi të dielën po mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal në dhjetëra qytete, përfshirë edhe zgjedhjet e përsëritura në Beograd, mes përpjekjeve të populistëve të krahut të djathtë në pushtet që synojnë të çimentojnë pushtetin e tyre.
Zgjedhjet në kryeqytetin serb po rimbahen pasi raportet për parregullsi të gjera dhjetorin e kaluar nxitën tensione politike dhe akuza se Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiç manipuloi votimet.
Pushteti mohoi akuzat, por u pajtua që zgjedhjet të përsëriten.
Presidenti Vuçiç kërkon zyrtarisht që kombi i tij i trazuar të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por është larguar vazhdimisht nga vlerat evropiane të demokracisë, ndërsa ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Partia Përparimtare Serbe e ka paraqitur veten si të vetmen forcë politike të aftëv për ta drejtuar vendin dhe për ta mbajtur atë të sigurt në një kohë trazirash globale.
Grupet opozitare properëndimore e kanë akuzuar presidentin Vuçiç për lidhje me krimin, korrupsionin e shfrenuar dhe shtypjen e demokracisë. Por një aleancë e gjerë e cila qëndroni prapa protestave të mëdha antiqeveritare në rrugë vitin e kaluar është ndarë dhe ish aleatët janë ë kthyer kundër njëri-tjetrit, duke nxitur apatinë mes 6.5 milionë votuesve në Serbi.
Partia në pushtet e presidentit Vuçiç pritet të jetë fituese të dielën. Ajo kontrollon për më shumë se një dekadë të gjitha nivelet e pushtetit në Serbi, kështu që nëse opozita arrin të fitojë disa nga kuvendet komunale, për të mos përmendur qytetet e mëdha, do të ishte një ndryshim i rëndësishëm.
Grupet opozitare u ndanë rreth çështjes nëse duhet të marrin pjesë në zgjedhje apo të vazhdojnë me kërkesat për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata që konkurrojnë për pushtetin në qytetin e Beogradit, zhvilluan fushatën nën parullën “Ne zgjedhim të luftojmë”!
Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve thanë se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit të vitit të kaluar mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe përparësive sistematike për partinë në pushtet.
Një raport i OSBE/ODIHR-it tha se zgjedhjet ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, paragjykimet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.
Vëzhguesit vendas të zgjedhjeve thanë se nuk kanë ndryshuar shumë gjëra pavarësisht një sërë rekomandimesh të renditura nga vëzhguesit ndërkombëtarë pas votimeve të dhjetorit.
Akuzat për mashtrim në Beograd përfshinin raporte se votuesit nga rajone të tjera të Serbisë dhe nga Bosnja fqinje u dërguan me autobus në kryeqytetin serb për të votuar për partinë e presidentit Vuçiç.
Zgjedhjet në Luginën e Preshevës
Zgjedhjet për pushtetin lokal po mbahen edhe në dy nga tri komunat e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë.
Në komunën e Preshevës në konkurrencë janë 6 parti politike shqiptare dhe një parti serbe, Në Bujanoc ndërkaq në konkurrencë janë 4 parti shqiptare, 4 serbe dhe një parti e pakicës kombëtare rome.
Përfaqësuesit e shqiptarëve thonë se vështirësitë më të cilat përballet rajoni, që nga mungesa e investimeve ekonomike e deri te mosnjohja e diplomave dhe posaçërisht procesi i “pasivizimit” të adresave të shqiptarëve, kanë ndikuar në ekuilibrin etnik dhe rrjedhimisht përfaqësimin politik të shqiptarëve nga ky rajon.
Në zgjedhjet e dhjetorit shqiptarët në Luginën e Preshevës fituan një vend në parlamentin e Serbisë. (VOA)